Kosova

Gërvalla “godet” LDK-në përmes Muhaxherit: Po artikulon deklarata skandaloze, të dëmshme për Kosovën dhe në linjë me Serbinë


Ilustrim: Donika Gërvalla dhe Gazmend Muhaxheri

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në cilësinë e kryetares së Partisë Guxo, ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherit kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, duke i cilësuar ato si “jo vetëm skandaloze”, por edhe “jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën”.

“Para disa muajsh Muhaxheri pati deklaruar se ‘Qeveria Kurti po i diskriminon serbët e veriut të Kosovës sikur që Millosheviçi bënte me shqiptarët e Kosovës në vitet e ‘90’”, ka shkruar Gërvalla në platformën sociale, Facebook, duke theksuar se një deklaratë e tillë “s’u kundërshtua, ashtu si e meriton, as nga organet shtetërore të Kosovës”.

“Për më tepër partia e tij, LDK, këtë e kaloi në heshtje. Kjo heshtje e LDK, për këtë deklaratë të papranueshme të nënkryetarit të vet, s’ka se si të lexohet ndryshe vetëm se si tumirje e qëndrimeve të Muhaxherit, të cilat janë në kundërshtim të plotë me të vërtetën, bien ndesh me ligjet e vendit dhe me përcaktimet politike dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, potencoi ajo.

Qëndrimet e tilla, në vlerësimin e Gërvallës, bien ndesh edhe me të gjitha qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare.

“E cila për shkak të krimeve gjenocidale të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë, ndërmori fushatën e bombardimeve të caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe Serbi, gjë që çoi në çlirimin përfundimtar dhe më pas edhe në pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Gërvalla ka komentuar edhe një tjetër deklaratë të Muhaxherit, i cili, sipas saj, ka thënë se “Policia dhe Qeveria e Kosovës mund t’u kenë montuar armë kriminelëve serbë për të krijuar alibinë për ushtrim të dhunës ndaj tyre”.

“Kjo deklaratë është në përputhje të plotë me deklaratat e policisë serbe të viteve ’90, kur ata i vrisnin civilët shqiptarë dhe u montonin në dorë ose në shtëpi arsenal armësh për të arsyetuar dhunën dhe vrasjet e tyre”.

Këto dhe deklarata të tjera të Muhaxherit, sipas Gërvallës, shtrembërojnë të vërtetat historike, mohojnë krimet serbe në Kosovë dhe cenojnë rëndë sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Ato duhet të jenë objekt i trajtimit nga organet e drejtësisë”.

“Partia GUXO i dënon ashpër këto qëndrime johistorike, antishqiptare dhe kundërshtetërore të Gazmend Muhaxherit, me të cilat ai dhe bashkëmendimtarët e tij barazojnë ish pushtetin okupator e gjakatar serb të Millosheviqit në Kosovë me veprimet ligjore të organeve të shtetit të Kosovës ndaj kriminelëve dhe shkelësve të ligjit në Kosovë”, ka shtuar kryediplomatja.

E para e diplomacisë, ndër të tjera ka potencuar se Partia Guxo “ka humbur çdo lloj shprese që në strukturën drejtuese të LDK-së të ketë mbetur diçka sado e vogël nga ideja burimore e LDK-së për Liri, Pavarësi dhe Demokraci të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore