Kosova

Gërvalla: E kemi zënë në befasi Osmanin, s’e informuam për letrën sepse rrethanat s’ishin normale


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka komentuar raportet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, pasi kjo e fundit shprehu indinjatën e saj me Qeverinë e Kosovës për arsye të mos-koordinimit paraprak për letrën që kryediplomatja ia dërgoi Këshillit të Evropës për çështjen e Asociacionit.

Gërvalla ka pranuar se me këtë letër Osmanin e kanë “zënë në befasi”.

“Si duket e kemi zënë në befasi, si duket nuk ka qenë e informuar”, ka thënë ajo në një intervistë për Telegrafi.

Këtë mos-koordinim kryediplomatja e ka arsyetuar me faktin se rrethanat nuk kanë qenë normale.

“Po të kishin qenë rrethanat normale dhe të mos kishte qenë shpejtësia e jashtëzakonshme edhe spontaniteti i një veprimi të tillë, atëherë me siguri që do ishte informuar, sepse nuk ka asnjë arsye për të mos e informuar”, ka shtuar ajo.

Gërvalla ndër të tjera ka potencuar se Institucionet e vendit janë të koordinuara “si kurrë ndonjëherë në hapat e rëndësishme që ndërmarrin”.

“Kjo nuk do të thotë që të gjithë jemi automatikisht të një mendimi, përkundrazi ky koordinim është kaq i fuqishëm sepse lejon edhe mendim ndryshe, lejon edhe debat edhe mospajtim”.

Kosova nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësojë me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se ka dërguar një letër në adresë së Këshillit të Evropës, ku zotohej se do të përgatisin një draft-statut të ri të Asociacionit e ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Një zotim i tillë u shpërfilli nga Këshilli i Evropës, ndërkohë Zyra e Presidentes reagoi ndaj këtij vendimi duke theksuar se ky institucion nuk u konsultua paraprakisht për letrën e dërguar.

Pas dështimit të anëtarësimit në KiE, Gërvalla në një konferencë për media njoftoi se oferta e Kosovës për Asociacionin nuk vlen më. Ndërkohë ky mos-koordinim paraprak ndërmjet institucioneve shkaktoi një përçarje të thellë në mes të presidentes Osmani e ekzekutivit kosovar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore