Lajme

Gërvalla e cilëson si skandal me pasoja serioze heqjen e urdhërarrestit ndaj Radojiçiç-it: Ku mbetën klithmat e partive opozitare?   


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka cilësuar si skandal heqjen e urdhërarrestit ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç, i cili pranoi se organizoi sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, duke potencuar se përmes një vendimi të tillë është rrezikuar jeta e qytetarëve, zyrtarëve policorë dhe gazetarëve të Kosovës.

Reagimi i saj në platformën sociale Facebook ka ardhur pasi që Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, të premten në një konferencë për media ka konfirmuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Radojiçiç, për arsye që s’mund t’i bëjë publike, sepse janë çështje të ndjeshme të het

“A po i bie kjo që paskemi pasur të drejtë kur deklaronim që Blerim Isufaj ka miratuar heqjen e urdhërarrestit kundër Radojiçiç-it”, ka pyetur fillimisht Gërvalla.

Kryediplomatja ndër të tjera ka pyetur se ku mbetën tash “klithmat e partive opozitare përballë këtij skandali me pasoja kaq serioze?”

“Ku janë thirrjet për hetim thelbësor të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në këtë puç kundër rendit dhe sigurisë në Kosovë? Askush mbi shtetin dhe askush mbi ligjin, pra as Blerim Isufaj dhe të gjithë ata që qëndrojnë pas tij”, ka shtuar ajo.

Ndaj deklaratave të kryeprokurorit Isufaj, të premten ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Sipas saj, po të mos hiqej fletarresti ndaj Radojiçiç, operimi i tij do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në Veri të Kosovës.

“Kur dikujt i hiqet fletarresti praktikisht i bie që diçka ka ndërruar për të mirë, por këtë vit nga ky person që ju hoq fletarresti u organizua tentim-aneksimi i Veriut me 24 shtator 2023 në Banjë të Zveçanit. A e ka të qartë ky kryeprokuror që kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe nuk ka këtu vetëm Pikë?”, ka shkruar ajo.

Më 19 shkurt 2021, Prokuroria Speciale kishte kërkuar revokimin e urdhërarrestit ndaj Radoiçiç-it, ndërsa gjykata e kishte aprovuar këtë kërkesë më 23 shkurt 2021.

Urdhërarresti ishte lëshuar në gusht të 2020-ës nën dyshimin se Radojiçiç ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore