Lajme

Gërvalla: Daçiç është kriminel lufte, Daçiç is a war criminal, Dačić je ratni zločinac


Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke folur në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se kryediplomati serb, Ivica Daçiç i cili është duke e përfaqësuar Serbinë në këtë seancë, është kriminel lufte dhe duhet të sillet para drejtësisë.

“Ivica Daçiq është përgjegjës për krime lufte, vrasje masive e përdhunime. Ai duhet të sillet para drejtësisë, para një tribunali për krime lufte”, tha Gërvalla.

Madje, këtë Gërvalla e tha në tri gjuhë, atë shqipe, anglishte, dhe në atë serbe.

Ndërsa, ajo është shprehur se “edhe pse kam kërkuar, më është mohuar që të flasë në gjuhën time për dallim nga përfaqësuesi i Serbisë i cili foli në gjuhën e tij”.

“Derisa Daçiç foli këtu në gjuhën e shtetit të tij në vend të anglishtes, unë po ashtu dua të flas në shqip, gjuhën që flitet në shtetin tim, Kosovë. Fatkeqësisht, presidenti refuzoi kërkesën time”.

Serbia është një nga vendet e pakta në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Federatës Ruse, pas agresionit të saj në Ukrainë, duke mos e harmonizuar kështu politikën e saj me vendet e perëndimit.

E, duke pasur parasysh këtë, Gërvalla tha se “Serbia është duke e mbështetur Rusinë në luftën kundër Ukrainës”.

Gjithashtu, kryediplomatja kosovare shtoi se përkundër se Kosova ka qenë viktimë e gjenocidit serb, “jemi ne ata që dëshirojmë paqen”, dhe tha se Beogradi nuk është i interesuar për një gjë të tillë.

“Qytetarët serbë mund ta marrin në dorë fatin e tyre dhe të shtrijnë dorën e pajtimit fqinjëve të tyre. Kjo është e mundur. Një vend mund të marrë vendime të reja. Kosova dhe të tjerët kanë treguar se kjo mund të arrihet. Ne mbesim të hapur për pajtim”.

Ndërkaq, ajo tha se për momentin Serbia udhëhiqet nga njerëz që i kanë shërbyer kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, duke iu referuar pozitave që Ivica Daçiç dhe Aleksandër Vuçiç i kanë pasur gjatë regjimit të kasapit të Ballkanit, dhe kohës kur u krye gjenocidi në Kosovë.

“Ata që janë përgjegjës për gjenocid janë ende në pushtet në Serbi. Vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviç-it. Daçiç, është përgjegjës për krime lufte, vrasje masive, përdhunime, dhe duhet të sillet para drejtësisë për krime lufte. Nga 1999 deri 2000 ishte dora e djathtë e Millosheviç-it, e duartrokiti si hero dhe ishte pasardhësi i tij. Dhe ja sot e kemi para. Ne negociojmë me to sepse jemi për paqe. E dimë që ka një Serbi tjetër, por që ende është e dobët. Po presim atë Serbi. Shpresojmë që ajo të vijë sa më shpejtë”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore