Lajme

Gërvalla arsyeton BE-në: Fajet i kemi ne, s’i kemi kryer detyrat e shtëpisë


Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dalë kundër mini-shengenit rajonal, duke e cilësuar idenë si kurth dhe kundër parimeve kryesore të BE-së. “S’ka mini-schengen. Është fals. Është kurth”, ka nënvizuar ajo.

Ministrja Gërvalla madje e ka arsyetuar edhe vonesën e Bashkimit Evropian në integrimin e vendeve ballkanike, meqë sipas saj “Kosova dhe rajoni nuk i kanë kryer detyrat e shtëpisë”.

“Të flasim për BE-në dhe për ne, por më së shumti për atë që ne duhet të jemi anëtarë të BE-së. Kur them ‘ne’, mendoj gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

“Me gjithë vështirësitë dhe sfidat duhet konstatuar që BE-ja na ka ofruar më të mirën që posedon – perspektivën e anëtarësimit në projektin më të suksesshëm të historisë evropiane. Prandaj, por mbi të gjitha për veten tonë, ne duhet të përmbushim detyrat tona:Duhet të ndërtojmë shtetin ligjor, duke përfshirë edhe të qenit të ashpër ndaj korrupsionit.Duhet të garantojmë lirinë e shtypit dhe të bëjmë reformë të vërtetë ligjore.Ne ende nuk kemi arritur aty”.

“Dhe nuk asnjë arsye pse ta fajësojmë BE-në për gabimet tona. Askush nga ne nuk do të duhej të mashtronte veten duke thënë apo menduar që mund të hyjmë (në BE) pa i kryer punët tona”, ka thënë Gërvalla.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore