Shqipëria

Gërdeci nuk kujton më shpërthimin, por atë që shpërtheu


Dhe rezultatet u shpallën!

Në fshatin Gërdec, që dikur u përpi nga tymi i flakëve të vitit 2008, Sali Berisha korri një fitore minimaliste, por të vlefshme për kujtesën dhe historinë e zonës.

Kandidati i Shtëpisë së Lirisë grumbulloi më shumë vota se ai i Partisë Demokratike, në zgjedhjet e pjesshme që u mbajtën më 6 mars.

Pas votimeve në periferinë e Vorës, që dikur udhëhiqej për katër mandate nga një demokrat, si Fiqiri Ismaili, memoria është ende aty, sa i takon shpërthimit.

Një nga banorët e zonës, i cili ndante marketin me një klub matanë murit, tregoi më tepër për “Albanian Post”.

“Nuk besoj se është votuar Sali Berisha, por janë bazuar te fakti që ende ekziston ndikimi i Ismailit në këtë zonë. Ata janë të gatshëm ta bëjnë këtë si nder dhe jo se janë të detyruar”, tha fillimisht banori.

Më tej, teksa përpiqet të rikujtojë, ai shton se banorët e kanë harruar atë që ndodhi, pasi gjithsecili ka marrë shpërblimin e caktuar.

“Fillimisht, këtu të gjithë banorët kanë marrë 1 apo 2 milionë lekë në dorë”, vijon ai.

Sipas tij, kjo zonë u pasurua gjatë kohës kur njerëzit punonin në fabrikën e demontimit.

Madje, gërdecari shkon më tej, duke dhënë detaje sesi ata paguheshin nga 3 mijë deri në 4 mijë lekë të rinj në ditë.

“Kandidati që afroi Basha kurrsesi nuk mund të fitonte, pasi ai kishte qenë kryetar i mandatuar në Domje. As familja e tij nuk e votoi”, thotë banori, i cili foli në kushtet e anonimitetit.

Në fshatin e rimëkëmbur, gjendej edhe një zonjë, e cila, teksa po ushqente bagëtinë e shtëpisë, tha se “votat e gërdecarëve kanë qenë për PD-në edhe pas shpërthimit. Shumica e të rinjve si mosha jote punojnë në një kompani që është e lidhur me demokratët”.

Stafi i Albanian Post vazhdoi më tej rrugicave të fshatit dhe u ndal tek një klub që po gëlonte nga bisedat politike.

Dikush prej tyre vërejti në televizor pikërisht fitoren e Shtëpisë së Lirisë në Shkodër.

“Të gjithë këtu kanë vuajtur momentin e shpërthimit, por të gjithë nën zë e pranojnë që ‘ah, sikur të punonim dhe një vit’, do të kishim bërë lekët edhe për një kat tjetër”, shprehet njëri prej tyre.

Duke iu kthyer mikpritësit të parë, ai nuk bëri me faj për tragjedinë e Gërdecit, zyrtarët e kohës.

“Po le të themi sikur t’i ndodhte një ministri të sotshëm, as sot nuk do të ishte faji i tij. Këtu vinin ngarkesa ditore me 30 tonë municione dhe kishte masa të shtrënguara sigurie. Ende mendoj se ajo që ndodhi, ishte aksidentale”, theksoi ai në vijim të bisedës.

Në përmbyllje ata vlerësuan kandidatin e Partisë Socialiste, duke e konsideruar si “një djalë që vjen nga një familje e mirë arsimtarësh”.

“Ne njihemi të gjithë pak a shumë se kjo është një zonë shumë e vogël, por mjafton të shohësh shtëpitë rreth e qark për të kuptuar që njerëzit kanë ecur përpara”, ravijëzoi njëri prej banorëve.

Megjithatë, realiteti me të cilin jetojnë këta banorë nuk lidhet më me shpërthimin, por me atë që shpërtheu.

Kjo reflektohet edhe në rezultatin e votimeve të 6 marsit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore