Shqipëria

Gërdec, aty ku paqja nuk ekziston


Ishte ora 11:45 e mëngjesit, më 15 mars 2008, kur një mëngjes i nxehtë i së shtunës në fshat kataklizmoi ditën.

Gratë dhe burrat filluan të vraponin, duke tërhequr zvarrë fëmijët dhe të moshuarit e frikësuar në fund të fuqive të tyre.

400 tonë municion shpërthyen në depon e armëve në kodrat e Gërdecit, që gjendet 13 km larg  Tiranës. Bilanci: 26 të vdekur dhe më shumë se 300 të plagosur.

Sot, pas 13 vitesh, ai shpërthim mbetet i freskët në memorien e të gjithëve. Ngjarja përfundoi në dyert e gjykatave shqiptare. Por, për 26 të vdekurit e 300 të plagosurit nuk ka asnjë person pas hekurave.

Të shumtë qenë ata që ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme. Pati dëshmitarë, të cilët u arratisën, ushtarakë që morën azil politik, por për familjarët nuk u vendos asnjëherë drejtësi.

Duhet reflektim për atë ditë dhe rikujtim për gjithçka ngjau, për t’u kthyer te pika e fillimit të kësaj katastrofe që mori dhe shkatërroi jetë, shtëpi, familje dhe marrëdhënie. Përveç hardhive dhe objekteve, gjëra që mund të rindërtohen, njollat dhe shënjimi i asaj dite nuk hiqet lehtësisht nga kujtesa.

Taulant Balla ka reaguar në Facebook për ditën e 15 marsit 2008 me një status. Balla shkruan në “Facebook” se vendimi i drejtësisë amerikane mbetet pikë referimi për rihapjen e hetimit.

Sipas numrit dy të Partisë Socialiste, Gjykata e Floridas është shprehur se Shkëlzen Berisha nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme, të cilat rrëzojnë përfshirjen e tij në këtë tragjedi.

Në dokumentarin Memory – Koalicionet: Arti i Politikës Shqiptare, të datës 14 mars, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe gazetari Frrok Çupi, flasin rreth pasojave që solli kjo ngjarje dhe mënyrën si ajo shenjoi politikën shqiptare.

13 vjet më pas, pasojat e Gërdecit ende ndihen në skenën politike sipas tyre.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore