Lajme

Gazsjellësi jetik për Kosovën, Qeveria ta pranojë patjetër


Ilustrim

Ndërtimi i projektit të gazsjellësit të Ballkanit, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është gabim nëse trajtohet vetëm nga prizmi i kostos financiare. Por, edhe paqartësi e madhe konceptuale e Qeverisë së Kosovës.

Derisa, Qeveria e Kosovës ka vendosur të heshtë lidhur me këtë çështje, deputetë opozitarë dhe analistë politik e kanë konsideruar si projekt i rëndësisë së madhe gjeostrategjike, mirëpo ende nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë Qeveria e Kosovës për arsye të kostos totale të këtij projekti.

Megjithatë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka refuzim nga Kosova për çështjen e projektit për gazsjellësin. Sa i përket aspektit gjeopolitik, sipas Osmanit, Kosova nuk ka rrugëdalje tjetër, përpos që të bashkëpunojë me SHBA-të për këtë çështje.

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe tani analist politik, Visar Ymeri, për Albanian Post ka thënë se Qeveria duhet ta zgjedhë projektin më të favorshëm për Kosovën sa i përket anës financiare.

“Qeveria të mos e refuzojë atë për shkak të kostos. Kjo do të kishte me qenë shkurtpamësi”, ka thënë Ymeri.

Analisti politik, Visar Ymeri

Të njëjtin mendim ndan edhe opinionisti, Gazmir Raci, i cili ka thënë se “Kosova nuk duhet t’i thotë jo një investimi të tillë strategjik”.

“Kosova është në aleancë të përhershme me SHBA-të, andaj duhet të sillet edhe si partnere serioze dhe të jetë e denjë për të qëndruar në vijë me aleatët e saj, madje të jetë e renditur në anën e duhur të zhvillimeve gjeopolitike nën drejtimin e SHBA-ve”, është shprehur Raci për AP.

Analisti politik, Gazmir Raci

Kurse, sipas Ymerit, çështja e lidhjes së Kosovës në rrjetin rajonal të gazit nuk është vetëm e rëndësisë jetike strategjike, por edhe asaj “ekonomike”.

“Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti duhet ta trajtojnë këtë me seriozitet dhe prioritet”, shtoi Ymeri.

Në të kundërt, refuzimi i një projekti të tillë, siç thotë Ymeri, e vendosë Kosovën në një situatë të pafavorshme në marrëdhëniet me SHBA-të.

Sipas tij, refuzimi i një projekti të tillë dhe pasojat politike e diplomatike të këtij refuzimi rrezikojnë t’ia dëmtojnë Kosovës marrëdhëniet me SHBA-të që do të reflektohej pastaj në rënie të interesimit të SHBA-ve për Kosovën.

“Kosova është në një fazë tejet të rëndësishme të procesit të shtetndërtimit që ndërlidhet me subjektivitetin tonë ndërkombëtar e finalizimin e procesit të dialogut me Serbinë. Në të dyja këto procese ndihma e pakursyer nga SHBA-të është jetike për suksesin e Kosovës. Prandaj duhet menduar mirë e trajtuar me seriozitet ky projekt”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, Ymeri ka theksuar se qëllimi i SHBA-ve është që në rajon të mos lejojnë ndikime nga shtetet si Rusia e Kina.

“Kjo nënkupton mbajtjen e rajonit nën ombrellën ekonomike e gjeostrategjike perëndimore. Kështu ky rrjet i gazsjellësit synon ta ndalë furnizimin me gaz nga Rusia. Ndikimi rus në Serbi është i madh. Për ta kthyer rajonin kah perëndimi kërkohet largimi i Serbisë nga ndikimi rus por edhe ai kinez”, përfundoi Ymeri.

Megjithatë, sipas kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, qeveria ka paqartësi të mëdha konceptuale sa i përket strategjisë së energjisë në përgjithësi në vend.

“Tendencat e qeverisë për radikalizim të termocentralit është sinjal i keq që kjo qeveri nuk ka qartësi sa i përket projekteve kapitale, strategjike për energjinë”, ka potencuar ai në një intervistë me shkrim për Albanian Post.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala

“Në të njëjtën kohë ka paqartësi dhe jo vendimmarrje sa i përket situatës së gazsjellësit që është jashtëzakonisht perspektiv, interes strategjik për Kosovën dhe i domosdoshëm për rrethanat në çfarë praktikisht trendi botëror global edhe sa i përket ndotjes por edhe sa i përket energjisë”, shtoi ai.

Sipas Shalës, që është edhe deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, kur ky projekt është i mbështetur dhe i financuar nga SHBA-të, është e pakuptueshme të mos pranohet nga qeveria.

Aq më tepër të guxohet në favorizime të ndonjë projekti tjetër “që vjen nga shtetet e lindjes, gjegjësisht nga ish-vendet e Bashkimit Sovjetik”.

“Historikisht e kemi obligim, edhe moral, politik dhe kombëtar që të rreshtohemi dhe të bashkëpunojmë me pjesën Perëndimore”, përfundoi ai.

Ndërtimi i Termocentralit me Gaz Natyror në Kosovë rrjedh nga marrëveshja e vitit 2020 në mes të ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe shefit ekzekutiv të Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Adam Boehler.

Foto: Ilustrim

Shpjegimi nga zyrtarë të Ambasadës Amerikane për gazsjellësin amerikan në Kosovë

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Kosovë i ka thënë Albanian Postit se SHBA-të janë duke vazhduar diskutimet me Qeverinë e Kosovës rreth lidhjes me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, projekt ky i propozuar nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Derisa Qeveria e Kosovës është ende në diskutime, zëdhënësi nga ambasada e SHBA-ve, ka thënë se “shumica e financimit do të bëhej nga fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”.

Në përgjigjen me shkrim nga ambasada amerikane thuhet se faktori thelbësor që pengon rritjen e fuqishme ekonomike të Kosovës është infrastruktura e papërshtatshme, veçanërisht infrastruktura energjetike.

Ndërsa Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme në sektorin e energjisë, “ku mos qëndrueshmëria e furnizimit aktual të energjisë elektrike me qymyr rrit kostot operative për kompanitë dhe kufizon konkurrencën e tyre”.

“Ndërprerjet e shpeshta të energjisë dëmtojnë dhe veprimtaritë e tjera që krijojnë të ardhura, duke imponuar çmime për bizneset dhe familjet dhe duke penguar investimet”, thuhet në përgjigje.

Për të lehtësuar shkaqet rrënjësore të këtij kufizimi, “Qeveria amerikane po punon me Qeverinë e Kosovës për zhvillimin e projekteve të propozuara, që Bordi i Drejtorëve të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit do të merrte parasysh një program të mundshëm në vitin 2022”.

Sipas zëdhënësit, projektet e tilla të mundshme do të përqendroheshin në disa koncepte që janë në dobi të Kosovës.

“Projekti për Zhvillimin e Sektorit të Gazit Natyror do t’u jepte përdoruesve të energjisë një mundësi më efikase të përdorimit të energjisë termike dhe do të kontribuonte në përmirësimin e cilësisë së ajrit”.

“Ky projekt nuk lidhet me gazin natyror të lëngshëm apo ndonjë burim tjetër gazi amerikan. Kjo do t’i jepte Kosovës mundësinë për të përdorur gazin si lëndë djegëse kalimtare derisa të ketë qasje në hidrogjen”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e zëdhënësit të ambasadës amerikane në Prishtinë.

Po ashtu, ky projekt siç thotë zëdhënësi i ambasadës amerikane do të ndërtonte infrastrukturën rezervë të kërkuar për të stabilizuar sistemin, si dhe kapacitetin institucional për të prokuruar dhe menaxhuar rezervat.

“Projekti mund të përfshijë një komponent të vogël të ruajtjes së baterisë për rezervat dytësore dhe një komponent më të madh të gazit në energji për të furnizuar si rezervat terciare ashtu edhe një sasi të vogël të gjenerimit të ngarkesës bazë”, shtoi ai.

Në anën tjetër, theksohet se projektet e propozuara fokusohen në zbutjen e shkaqeve rrënjësore të kufizimit të energjisë në Kosovë, ndërsa sigurojnë ndihmë plotësuese për sektorin e energjisë, si dhe mbështetjen e një tranzicioni të drejtë, larg nga prodhimi i thëngjillit me intensitet të lartë të karbonit.

 

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë

Rajoni bëhet gati për gazin amerikan

Ndryshe nga Qeveria e Kosovës, vendet e rajonit i kanë nënshkruar marrëveshjet e para.

Më 3 tetor të vitit 2020, një zhvillim shumë i rëndësishëm nxori në pah një përpjekje të qartë rajonale amerikane për të mbështetur zhvillimin e sektorit energjetik në rajon, me synim, diversifikimin e burimeve të energjisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ekonomik me Nënsekretarin e SHBA për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, dhe pati thënë se bëhej fjalë për një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik mes SHBA dhe Shqipërisë.

“Memorandumi që nënshkruam për bashkëpunimin ekonomik do të rrisë eksportet shqiptare dhe do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit ndërtimin e HEC-it të Skavicës. Gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur nga burimet energjetike, por i varur nga moti, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë”, tha Rama.

Ndihmës-sekretari i Shtetit për Energjetikë dhe Resurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francis Fanon, kishte folur për tregun e energjisë me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke paralajmëruar lidhjen energjetike midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për furnizimin e vendit me gaz natyror.

Maqedonia e Veriut do të përfshihet në ndërtimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm, pranë qytetit grek Aleksandropulos.

Rreth 55 milionë euro është kostoja për ta lidhur Maqedoninë e Veriut me gazsjellësin në Aleksandropulos, nga të cilat 13 milionë euro të pakthyeshme për këtë projekt janë siguruar nga fondet evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore