Lajme

Gazeta opozitare serbe: “Mali i Zi po bëhet një Bosnje-Hercegovinë e re, Vuçiç dhe Gjukanoviç po e shqyejnë qepjen identitare”


Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

“Transformimi i Malit të Zi në një Bosnje-Hercegovinë të re është futur në një fazë të re të pakthyeshmërisë. Kjo sepse forcat politike që orbitojnë rreth Presidentëve Millo Gjukanoviç dhe Aleksandër Vuçiç po punojnë përzemërsisht rreth kësaj, disa edhe mund të thonë – bashkëfajësisht”, shkroi në një analizë në gazetën opozitare seber “Nova”, Zhellko Pantelliç.

Pantelliç vlerëson se shfaqja e një “nacionalizmi defansiv” të Malit të Zi, tregoi se çështja e përçarjeve etnike si strategjike politike nuk është më vetëm në eksluzivitetin e Beogradit.

“Një hendek i madh mes serbëve dhe malazezëve ka fituar momentum aq të madh sa që më për asgjë s’mund të arrihet pajtim”, shkroi Pantelliç.

“Kur u bë e qartë se procesi i krijimin të një malazezi të ri ishte në ngërç dhe se i ashtuquajturi lavjerrës i Xhilasit (aq më shumë që i detyron malazezët të jenë serbë aq më shumë bëhen malazez prej zemërimit, dhe anasjelltas, aq më shumë që i detyron të bëhen malazezë, aq më reflektivisht e deklarojnë veten serbë) filloi të përçajë kombin e njëjtë”.

Për vite të tera, rikujton Pantelliç, Serbia ka aplikuar diskriminim sistematik sipas të cilës studentët nga Mali i Zi, po qe se deklarohen si serbë, trajtohen si studentë vendas me të gjitha përfitimet që shoqërohet ky trajtim.

Po ashtu, që kur Aleksandër Vuçiç me Progresistët kanë marrë pushtetin në Serbi, rikujton gazetari, “Beogradi zyrtar ka mbështetur financiarisht dhe logjistikisht përçarjet identitare në Mal të Zi, dhe në mes tjerash, përmes donacioneve dhe sponzorizimeve ndaj shoqatave dhe institucioneve që mbledhin qytetarë që veten e deklarojnë si serbë”.

“Liderët e partive politike që e deklarojnë veten serbë në Mal të Zi, janë të preferuarit e mediave të regjimit të Beogradit”.

“Shqyerja e Malit të Zi përgjatë vijave kombëtare është e nevojshme për Vuçiçin në mënyrë që t’i shtojë titullin presidentit të Serbisë titullit të presidentit të të gjithë serbëve, veçanërisht në ish-republikat jugosllave ku ai dëshiron ta portretizojë veten si mbrojtës i interesave kombëtare serbe”, tha mes tjerash ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore