Shqipëria

Gaz lotsjellës në PD – Policia e papërfshirë


Sërish gaz lotsjellës në protestën e zhvilluar nga ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ku disa prej protestuesve janë shpërndarë për shkak të solucionit lakrimogjen, ndërsa disa të tjerë kanë vijuar të rezistojnë.

Nga aq sa kuptohet në situatën kaotike, mbështetësit e Sali Berishës kanë qenë deri diku të përgatitur për një skenar të tillë, pasi kanë sjellë edhe maska kundragaz, duke qenë të pajisur për rezistencë.

Vetë Berisha, e ka dënuar këtë akt, të cilin ia atribuoi kreu të demokratëve, Lulzim Basha.

Prej videove të siguruara nga Albanian Post, duket qartë se solucioni është lëshuar nga brenda godinës, teksa nuk shihet mirë nëse është realisht gaz lotsjellës apo një solucion tjetër.

Sipas burimeve të Albanian Post pranë selisë blu, mund të bëhet fjalë për një pluhur irritues, me veti të ngjashme me ato të gazit lotsjellës.

Sakaq, Policia e Shtetit ka bërë me dije se ajo është tërësisht e papërfshirë në aktet që po ndodhin brenda PD-së. Kështu, duke eliminuar një opsion të mundshëm se mund të jenë ata, të cilët po përpiqen të shpërndajnë turmën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore