Lajme

Gashi: Qeveria e ka futur vetën në kurth – Kurti mendon se bota sillet rreth tij


Albin Kurti

Kërkesa e ambasadorëve të QUINT-it për lejimin e Referendumit serb në Kosovë dhe fakti se nëse Qeveria e Kosovës e lejon nënkupton shkelje të sovranitetit të shtetit, është një kurth në të cilën Albin Kurti me ministrat e tij u futën vetë, ka thënë ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi.

Ai, duke folur për Albanian Post, ka deklaruar se fajet i ka edhe megalomania e Kurtit, që e supozon vetën qendër të botës.

“Qeveria jonë natyrisht ka të drejtë me qëndrimin që e mbanë sa i përket referendumit, mirëpo problemi është që kjo Qeveri në vazhdimësi është në kundërshtim me aleatët dhe qëndrimin e Bashkimit Evropian”, thotë Gashi për AP.

“Pra kjo tregon qe kjo Qeveri nuk ka fare diplomaci, nuk ka Ministri të Jashtme dhe në përgjithësi tregon se ka dobësi të madhe kjo Qeveri, që aleatët tanë të jenë ata që na ndihmojnë t’i jetësojmë qëndrimet tona, përkundrazi vazhdimisht aleatet po i bënë që të jenë kundërshtarët tanë, duke e përfshirë edhe Uashington-in”.

Gashi pohon se detyra e tanishme e Qeverisë është “të dal nga kjo kurth që e ka vendosur veten”.

“Kurti mendon se bota duhet të sillet rreth tij, në kuptimin që bota t’i ketë qëndrimet e Kurtit dhe jo ai t’i përshtatet qëndrimeve që bota veç se i ka me shekuj dhe dekada. Kjo e vë në sipërfaqe dobësinë themelore të kësaj Qeverie që është mungesa e diplomacisë”.

Dardan Gashi

Referendumi që pritet të mbahet në Serbi ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese atje. Qeveria deklaroi para disa ditësh që nuk do të lejohet mbajtja e këtij Referendumi edhe në territorin e Kosovës.

Në anën tjetër, shtetet e QUINT-it, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga qeveria që të mos ndalohet votuesi serb i Kosovës të votojë në referendum.

Gjithashtu, kanë përmendur organizimin e vendvotimeve nga OSBE-ja në Kosovë.

Mospajtimi ka bërë që të organizohet një takim urgjent mes Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

Pas takimit, kryeministri Albin Kurti është deklaruar shkurtazi për media, duke treguar se po thërret një seancë të jashtëzakonshme për të shtunën, me 15 janar.

Më pas presidentja Vjosa Osmani ka dalur me një deklaratë të përbashkët për media, duke përfaqësuar edhe kryeministrin dhe kryeparlamentarin, duke treguar se nuk e kanë ndërmend të zbrapsen nga vendimi për mos-lejimin e referendumit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore