Shqipëria

Gardhet që ndajnë Evropën, si po shfaqen barrierat e BE-së ndaj emigrantëve


Spektri i mureve po e përndjek sërish Evropën.

Tre dekada pas rënies së Murit të Berlinit, rishfaqet pyetja: A duhet të ngrejë Bashkimi Evropian barriera për të mbrojtur kufijtë e tij të jashtëm?

Realiteti është se tashmë po e bën këtë – në tetë vitet e fundit shtetet anëtare kanë ndërtuar më shumë se 1 mijë e 700 kilometra mure për të mbrojtur veten jo kundër tankeve apo ushtarëve, por kundër emigrantëve dhe refugjatëve.

Por kush e paguan këtë?

A duhet që fondet evropiane të financojnë barrierat e çimentos, çelikut dhe telit në të njëjtën mënyrë siç financojnë blerjen e radarëve dhe dronëve.

Debati është i ndezur, por konkluzionet e takimit të fundit të Këshillit Evropian, më 9 shkurt, sugjerojnë se ata që mbështesin një qasje drakoniane po fitojnë terren.

Komisioni Evropian dhe vende të tilla si Spanja dhe Gjermania janë kundër përdorimit të parave të BE-së për të ndërtuar më shumë mure, duke besuar se ka mjete më efektive për të frenuar emigracionin e parregullt.

Por ata që janë në favor, të kryesuar nga grupi i Vishegradit i përbërë nga Republika Çeke, Polonia, Sllovakia dhe Hungaria dhe të mbështetur nga Italia, Greqia dhe Austria, argumentojnë pozicionin e tyre duke përdorur një lloj logjike të brendshme.

Logjika: për të qenë në gjendje të mbyllin dyert, ata duhet së pari të ekzistojnë.

Në fund të fundit, çështja ka të bëjë më shumë se ku po shkon Evropa përballë sfidës së emigracionit dhe nëse do të vazhdojë të përdorë politika gjithnjë e më të ashpra për ta përballuar atë.

Tani për tani, gjithçka tregon se tundimi për të ndarë botën në parcela toke dhe detare ka qenë gjithnjë i pranishëm në Bashkimin Evropian, i cili është formuar duke eliminuar kufijtë e brendshëm e duke forcuar ata të jashtëm.

Nervozizmi në lidhje me këta kufij të jashtëm rishfaqet rregullisht.

Should Brussels fund border walls at EU frontiers to stop migrants? | Euronews

Barrierat fizike kanë mbrojtur një pjesë të kufirit të jashtëm të Evropës për dekada.

Enklava spanjolle në Afrikën e Veriut, Ceuta (1993) dhe Melilla (1996) ishin ndër të parat që u ngritën.

Më pas, këto barriera janë zgjeruar për të mbuluar më shumë se 2 mijë kilometra.

Bullgaria, për shembull, vendi më i varfër në BE, mban një gardh që shtrihet rreth 98% të kufirit të saj me Turqinë.

Kriza e refugjatëve e vitit 2015, me ardhjen e më shumë se një milion njerëzve – shumë prej tyre që ikën nga lufta në Siri – çoi në një shtysë të ripërtërirë për të ndërtuar mure për të ndaluar ata që përpiqeshin të hynin në kontinent.

Gardhet u intensifikuan në Hungari, Letoni, Slloveni, Austri dhe madje edhe në Francë.

Vite më vonë, me emigracionin në nivele relativisht të ulëta, Evropa pa sesi partnerët dhe fqinjët përdorën çështjen e emigracionit si një armë për të destabilizuar kontinentin dhe për të kërkuar lëshime.

Ndodhi në vitin 2020 kur Turqia hapi kufijtë e saj dhe kërcënoi Evropën me ardhjen e miliona refugjatëve dhe kur Maroku lejoi më shumë se 10 mijë njerëz të kalonin në Ceuta në maj 2021.

Episodi i fundit, i përshtatur në terma luftarakë si një “kërcënim hibrid”, ishte përjetuar në verën dhe vjeshtën e vitit 2021, kur Bjellorusia inkurajoi dhjetëra mijëra njerëz të hynin në Poloni, Lituani dhe Letoni gjatë krizës kufitare Bjellorusi-Bashkimi Evropian 2021-2022.

Përgjigja ishte ndërtimi ose zgjerimi i mureve qindra kilometra të gjatë midis tre vendeve dhe Bjellorusisë.

Tani, lufta në Ukrainë ka ringjallur frikën në disa vende se Moska po përdor emigracionin si një armë shtesë në arsenalin e saj kundër Evropës.

Europe is building anti-migration fences on its borders, and this time with Brussels' support

Finlanda ka njoftuar tashmë planet për të ndërtuar një gardh që e ndan atë nga Rusia duke qenë se ajo ka kufirin më të gjatë nga të gjitha shtetet me atë që është vendi më i madh në botë.

Bashkimi Evropian nuk heziton të investojë shuma të mëdha parash për të frenuar flukset migratore dhe si shembull shërbejnë 6.7 miliardë euro që Komisioni ka caktuar për menaxhimin e kufijve nga viti 2021 deri në vitin 2027.

Por deri më tani, pagesa për muret e çelikut me tela me gjemba ishte një temë tabu.

Direktiva evropiane është e paqartë dhe, megjithëse disa burime të BE-së konsiderojnë se nuk do të kishte asnjë pengesë ligjore për financimin e barrierave fizike, Komisioni nguron.

Më 9 shkurt, Presidentja e Ekzekutivit Evropian, Ursula von der Leyen, këmbënguli edhe një herë se ajo që nevojitet është një “qasje e integruar”.

Ajo flet për infrastrukturën, por jo për “muret” apo “gardhet”.

Komisioni nuk financon mure

Muret tashmë po e ndajnë Evropën ideologjikisht.

Por Von der Leyen ndryshon nga linja e ndjekur nga familja e saj politike, Partia Popullore Evropiane (EPP), një nga mbështetësit kryesorë të gardheve.

Megjithatë, refuzimi i Komisionit për të ndarë fonde evropiane për ndërtimin e tyre është gjithashtu një pozicion pragmatik, sipas burimeve të BE-së.

Ngritja e gardheve mijëra kilometra do të kushtonte sa një pasuri e vogël që mund të shpenzohej për projekte të tjera.

Brukseli beson, për shembull, se është shumë më efikase të investohet në marrëveshje me vendet e origjinës së emigrantëve të parregullt, në mënyrë që këto të pranojnë kthimin e shtetasve të tyre.

Argumentet e atyre që kundërshtojnë muret janë të ngjashme: ato janë të shtrenjta, janë përçarëse dhe jo vetëm që nuk i pengojnë njerëzit t’i kalojnë ato, por gjithashtu nxisin krijimin e rrugëve të reja, më të gjata, më të kushtueshme dhe më të rrezikshme.

“Muret dhe barrierat rrallë funksionojnë aq mirë”, thotë Klaus Dodds, profesor i gjeopolitikës në Universitetin Royal Holloway të Londrës dhe autor i librit “Luftërat Kufitare: Konfliktet e së nesërmes”.

Big, beautiful' walls don't stop migrants in the US and Europe | The World from PRX

Gil Arias, ish-drejtor ekzekutiv i Frontex, gjithashtu e deklaron veten “skeptik” kur bëhet fjalë për gardhe.

“Pengesat fizike nuk kanë qenë kurrë një pengesë radikale. Ne e kemi parë këtë në Ceuta dhe Melilla ndër vite”.

Arias beson se kufijtë duhen mbrojtur me inteligjencë dhe jo me tela me gjemba.

Muret kanë gjithashtu implikime të drejtpërdrejta në lidhje me respektimin e të drejtave dhe dinjitetit të emigrantëve dhe aftësisë së tyre për të kërkuar azil kur ikin nga luftërat dhe konfliktet.

Tragjeditë kanë ndodhur për shkak të këtyre gardheve, disa nga më të rëndat kanë ndodhur në Spanjë.

E fundit ishte 24 qershori i kaluar, kur të paktën 23 persona humbën jetën në përpjekje për të kaluar kufirin nga Nador në Melilla.

Spanja bashkohet me Komisionin në lidhje me ndërtimin e barrierave fizike dhe argumenton se muret nuk ofrojnë një zgjidhje për sfidën e emigracionit.

Por linja zyrtare spanjolle largohet disi nga ajo që ndodh në praktikë.

Gjatë viteve, Spanja nuk ka bërë gjë tjetër veçse investon në përforcimin dhe modernizimin e rrethojës prej gati 21 kilometrash të ndërtuar në Ceuta dhe Melilla.

Investimi i fundit hoqi telat me gjemba që po grisnin lëkurën e emigrantëve dhe u miratua një dizajn tjetër që, sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme, do ta bënte të pamundur kapërcimin e barrierës.

Të udhëhequra nga Austria dhe Greqia, tetë vende – duke përfshirë Danimarkën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë Malta, Sllovakia – bënë thirrje për progres “të prekshëm” në forcimin e kontrolleve përgjatë kufijve të jashtëm të BE-së.

Në tryezë ishte një kërkesë, e mbështetur nga Austria, që Komisioni të caktojë 2 miliardë euro fonde emergjente për të rindërtuar një gardh më të sigurt për kufirin e Bullgarisë me Turqinë.

Por ky nuk është i vetmi kontekst që ka shkaktuar nervozizëm: sipas Frontex, pothuajse gjysma e 330 mijë hyrjeve të paligjshme në territorin evropian gjatë vitit 2022 ishin përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

Marrë nga “El Pais”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore