Lajme

Fuqia e fjalëve dhe retorika e Zelensky’it – si e mposhti një njeri i vetëm gjithë aparatin shumëmilionësh propagandistik rus


Foto e punuar nga Klevis Hoxhaj, gazetar në Albanian Post

Në një fushë të blertë, i lyer me ngjyrë në fytyrë dhe me pamje të çartur, duke lëvizur mbi kalë në prag të një lufte kundër një armiku shumëfish më të fuqishëm, William Wallace (Mel Gibson) u foli skocezëve.

Të ngratët, duke e ditur fuqinë shkatërruese të një armiku si Anglia, pak para betejës japin opsionin e ikjes.

Wallace të frikësuarve ua pozicionon një dilemë.

Ça do bënit pa liri?”, i pyet.

“Lufto sot dhe mund të vdesësh, ik dhe mbetesh gjallë, së paku edhe për një kohë. Mbase do vdisni në shtretërit tuaj shumë vite më vonë, por a do ishit të gatshëm që t’i këmbeni të gjitha ato ditë nga kjo e sotmja për një shans të vetëm, që të ktheheni këtu dhe t’u thoni armiqve tuaj se ata mund t’na marrin jetën, por kurrë s’do na marrin lirinë”.

Kështu portretizohet një nga momentet më kulmore të filmit “Braveheart” që flet për luftën e skocezëve për pavarësi në vitin 1297.

Pas fjalimit të Wallace, jo ata në betejë, por edhe ti pranë ekranit, zhvendos sytë nëpër dhomë për të kërkuar shpatën. Liria merr trajtën e ekzistencës. “Nuk jetohet ndryshe pos i lirë”.

Por, filmi mbaron dhe pasi të kthehet realiteti, i kthehet edhe shikuesit racionaliteti duke e ribindur vetën se “është thjesht një film”. Me siguri s’ka ekzistuar kurrë një moment i tillë dhe ato fjalë s’janë artikuluar ashtu fare, aq më pak në një çast terrori para luftës me një superfuqi ushtarake të kohës.

725 vjet më vonë, jo në një film – përkundër se aktor – Presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelensky, po përdor fuqinë e retorikës dhe kanalet e komunikimit modern për t’i bindur ukrainasit se nuk “jetohet pa liri” dhe për të rreshtuar krah vetes gjithë botën që e sheh lirinë si trajtën e ekzistencës.

Përkundër se në luftë me një superfuqi si Rusia, ukrainasit janë kthyer në trima të paepur. Kronika të ndryshme kanë shpërthyer gjithandej me burra ukrainas që mobilizohen, gra ukrainase që duan të luftojnë po njëjtë si burrat e tyre dhe gjyshe që, meqë s’mund të kapin armën, futen në google për të parë manual “si të bëjmë një koktej molotovi”.

Thirrja e Zelensky-it, këtij performuesi të jashtëzakonshëm, ka tejkaluar kufijtë e Ukrainës. Prapa tij janë edhe i gjithë komuniteti perëndimor dhe përtej strukturave shtetërore në perëndim, ai u ka folur njerëzve.

Sistemi politik funksionon me kërkesat e qytetarëve që i jepen qeverisë si inpute dhe më pas outputet e politikanëve që bazuar mbi ato kërkesa dalin me zgjidhje. Zelensky e ka kuptuar shumë mirë edhe këtë. Ai u ka folur njerëzve më shumë sesa homologëve. Luftën e tij e ka universalizuar si të tyren, prandaj edhe gjithë këto protesta nëpër kryeqytetet e botës.

Akoma më shumë, ai ka depërtuar edhe tek armiku. Mijëra rusë kanë dalë për të protestuar kundër luftës në Shën Petersburg e Moskë.

Krejt i vetëm, me fjalimet e tij të bëra kryesisht me telefon, me kamerën në opsionin “selfie”, ai ka mposhtur një aparat të tërë shumëmilionësh propagandistik të Rusisë.

Ata që përcjellin mediat ruse me vëmendje, e dinë se jo tani, por që nga viti 2014, rrjetet shtetërore televizive e mediatike të Rusisë, siç është RT dhe Sputnik, prodhojnë dokumentarë të shumtë nga vende si dy zonat separatiste Luhansku e Donetsk, ku kinse ekspozohet terrori që ndër vite qeveria ukrainase u ka bërë rusëve në këtë rajon të Donbas-it.

Por, përderisa lufta në terren vazhdon, Zelensky e ka fituar një tjetër luftë – atë të informacionit. Dhe nëse qëndron paradigma se jetojmë në kohën e informacionit, praktikisht Zelensky e ka fituar luftën.

Ai, me telefonin e tij dhe përmbajtjen e prodhuar përmes tij, betejën e Ukrainës e ka bërë betejë të botës. Me patjetër duhet të pozicionohesh. Je me tiranin Putin, apo je me luftëtarin e lirisë Zelensky.

Siç thotë edhe Ag Apolloni në një koment për Albanian Post, “sot dy figurat me të ndryshme në botë janë ukrainasi Zelenski dhe rusi Putin, një përballje kjo që na e kujton parabolën biblike mes Davidit dhe Goliatit”.

Për Apollonin, në planin retorik, “Davidi ukrainas e ka mposhtur Goliatin rus”.

“Zelensky, si aktor i kthyer në politikan, po e fiton zemrën e publikut mbarëbotëror nëpërmjet performancës së tij”.

Shkrimtari Apolloni, që punë e ka shoshitjen e fjalëve dhe ndërtimin e karaktereve, thotë se “Zelensky ka bërë një retorikë për ta përvetësuar publikun, popullin, apo tashmë popujt” dhe, edhe sipas tij, “përfundimisht, ia ka arritur”.

Ag Apolloni

Një nga paraqitjet e fundit kulmore ishte ajo para deputetëve të Britanisë së Madhe në parlamentin e parë të demokracisë përfaqësuese.

Duke cituar Shakespeare-n dhe duke revokuar fjalime lufte të Churchill-it, Zelensky detyroi deputetët të thyenin duart nga duartrokitjet që s’ndaleshin.

Në mjeshtërinë e Zelensky-it, në paraqitjen para masave, asgjë nuk është e rastësishme – ai e di mirë çfarë po bën.

“Në kohën e sofistëve grekë, parimi i fundit i ligjëratës publike, ishte parimi vendimtar për ta bindur publikun. Pra, pas euresis (gjetjes së temës), taxis (radhitjes), lexis (zbukurimit, stilizimit) dhe mneme (të kujtuarit), vinte hypocrisis (aktrimi, performimi). Zelenski, si çdo aktor që qëllim parësor e ka ta bindë dhe ta përvetësojë publikun, po shkëlqen sidomos në aplikimin e parimit të fundit retorik, pra në performancë”, shpjegon Apolloni.

“Për një kohë të shkurtër, ai është kthyer në lider historik, aq sa intelektuali publik Bernard-Henri Lévy, pasi dëgjoi fjalimin e Zelensky-it, ku u cituan Shakespeare dhe Churchill, tha se nuk mbahet mend një heroizëm i tillë”.

As përzgjedhja e citimeve nuk është e rastësishme. Ai, përmes tyre, ngre dilema dhe më pas u jep zgjidhje të njëjtave.

“Efekti i citimit gjithmonë është i menjëhershëm, sepse vjen si thirrje autoritetesh nga e kaluara për t’i bindur njerëzit e të sotmes. Ajo ishte si efekti i frazës ‘Magister dixit’ në perandorinë romake. Dilemës hamletiane ai i dha përgjigje definitive: po, kemi vendosur të jemi. Si? lind pyetja. Duke mos u dorëzuar, kujton Churchillin”.

 

A përfundon këtu?

Siç këndonte dikur pop-bendi britanik Fun Boy Three, “It Ain’t What You Do (It’s the Way That You Do It)“. Pra, “S’është puna çfarë bën, çështja është se si e bën”.

Nuk janë veç citatet potente dhe performanca e shkolluar e Zelensky-it derisa citon, por edhe kanalet nëpërmes të cilave i jep citimet, të cilat i ka zgjedhur me kujdesin e njëjtë si citatet.

Si ekspert i prodhimit të kontentit në rrjetet sociale, Zelensky nuk i ka lënë njerëzit në hamendësime se ku ta kërkojnë, por u është shfaqur ai vetë në platformat që ata i vizitojnë.

Zelensky është edhe “cool”, me mjekrën e parruar, veshjen me t-shirt dhe fytyrën përplot mimika emocionale ai vjen shumë i pranueshëm për të gjithë.

“Duket se ai dhe i gjithë ekipi i tij e kuptojnë jashtëzakonisht mirë hapësirën digjitale në të cilën ne jetojmë sot, dhe po e përdorin atë në mënyrën më të mirë të mundshme për ta fituar edhe luftën mediale dhe atë të perceptimeve ndaj palëve”, thotë Alban Kastrati, nga kompania e marketingut “Republika Communications”, kur iu kërkua nga Albanian Post një shpjegim për strategjinë mediale të Zelensky-it.

“E kemi vërejtur se ai gjithnjë është shumë i qasshëm edhe ndaj mediave, edhe partnerëve e aleatëve të Ukrainës, pa protokoll zyrtar – gjë që e rrit simpatinë dhe përkrahjen ndaj tij”.

Mesazhin qendror e jep vetë Zelensky, por shkon edhe përtej tij.

Për shembull, është edhe “pamja e delegacionit të Ukrainës në bisedimet me palën ruse”.

“Kanë dhënë mesazh shumë të fuqishëm, për ta paraqitur dukshëm agresorin dhe viktimën në këtë luftë”, thotë Kastrati, ekspert i PR-it.

“Në këtë kohë, Zelensky është pa dyshim komunikuesi më i mirë në nivel global, dhe është shndërruar në model të një komunikuesi, i cili do të imitohet prej shumë politikanëve të tjerë nëpër botë”.

Alban Kastrati

Nuanca imitimi veç kemi parë. Në një nga seancat e jashtëzakonshme në Parlamentin e Kosovës, pikërisht për të folur për Ukrainën, kryeministri Albin Kurti nuk u paraqit në veshjen e tij të zakonshme me kostum e kollare. Ai kishte veshur këmishë dhe mbi këmishë një pulovër me ngjyra që i shkonin afër bluzës së Zelensky-it.

 Sikur të mjaftonin fjalët…

Citimet, fjalitë, veshja, paraqitja dhe performimi janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por a e tregojnë gjithë historinë?

Për Adri Nurellarin, politolog që ka një jetë pranë politikanëve të rëndësishëm dhe është angazhuar për një kohë të gjatë në paraqitjen përmbajtjesore të tyre, asnjë nga këto sipër s’do kishte efekt, sikur Zelensky të mos i bënte nga zyra e tij në Kiev, por i ikur në ndonjë vend mik.

“Më shumë se sa aftësia e tij për të folur, janë veprimet e tij”, pohon Nurellari, kur u përgjigjet pyetjeve të Albanian Post.

“Unë nuk mendoj se është thjesht tek aftësisë së tij – që nuk mohohet – për të interpretuar, për të dhënë një dimension heroik, për të zgjedhur fjalët e duhura, për të mobilizuar njerëzit, por unë mendoj se ky ka përmbajtje, përveç se paketim dhe ambalazh”.

Nurellari e ka të qartë. Akoma “më shumë se sa shprehjet, janë aktet e tij”.

“Nuk është e shpeshtë”, thotë ai, madje “është e rrallë që kryetarët e shtetit, qofshin president ose kryeministër, në varësi të regjimit politik, nuk arratisen dhe nuk e braktisin frontin”.

“Edhe abdikojnë ose largohen dhe nuk qëndrojnë me popullin e tyre, domethënë impakti heroik i rezistencës flet vetë më shumë se sa fjalët e Zelensky-it”.

Adri Nurellari

Sipas Nurellarit, pa veprimin që i qëndron prapa dhe ia jep dimensionin heroik, fjalët në vetvete do shiheshin si hokum.

“Kjo është arsyeja që unë mendoj se fjalët e tij kanë peshë”, sepse janë zhvilluar paralelisht me veprimet.

“Nuk është vetëm bukuria dhe hijeshia dhe përzgjedhja e referencave historike, por është veprimi”.

Politologu, që vetë merret shumë me fjalët, e thekson se “po të ishin vetëm fjalë të pashoqëruara me vepra dhe me aksion, atëherë ato nuk do të kishin peshë”, do përbënin ajër të nxehtë.

A i mposhtin fjalët tanket e avionët luftarakë?

Në ditët e para të fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës një “dialog” armiqësor mes disa ukrainasve e rusëve që u duk se përfundoi me vrasjen e këtyre të parëve u shikua qindra-miliona herë.

Përkundër se ata ukrainas u besua se vdiqën, s’u panë me dhembshuri, por me admirim.

Në një ishull ukrainas, për çudi të quajtur Gjarpër, një luftanije ruse u afrua dhe u dha ultimatum përmes megafonit ushtarakëve që qëndronin në ishull.

“Jam luftanije ruse”, tha një zë duke folur në emër të makinerisë.

“Dorëzoheni, ose do iu qëllojmë”.

Pas një përshëndetjeje me njëri-tjetrin, sepse e kuptonin se ky “ishte fundi”, një nga ushtarët ukrainas mori megafonin dhe i foli luftanijes.

“Luftanije ruse, ik pirdhu”.

Vladimir Zelensky

13 persona u mendua se ranë atë ditë. Miliona, po për shkak të tyre, u ngritën.

Megjithatë, Rusia është shumë e fuqishme. Ndoshta ukrainasit nuk do rezistojnë deri në fund – me siguri jo.

Por, çfarëdo pushtimi të përkohshëm që do sjellë kjo luftë, mësymja ruse ka krijuar diçka të përhershme, kombin ukrainas.

“Për mua, për kohë të gjatë Ukraina dhe Rusia kanë qenë një shartim kulturor, mbrapa të cilit kam besuar se ka një harmoni”, thotë Ag Apolloni, por ky, si i Apollonit, duhet të ketë qenë “imazhi i zakonshëm që ka një evropian për kulturën e atyre shteteve”. Ka mundësi edhe i vet ukrainasve. Jo më.

Në një nga këto ditë, ata mund ta humbasin shtetin. Por, përfundimisht, kanë fituar kombin.

Dhe Zelensky është babai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore