Sport

Fundjava e futbollit “përball” institucionet: FSHF-ja reagon pas akuzave të Bashkisë Tiranë


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka reaguar në faqen e saj zyrtare duke e konsideruar si “fletërrufe” lajmin e shpërndarë në media për një hetim ndërkombëtar ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Sipas FSHF-së, në media janë formuluar “akuza delirante të denja për hetuesinë e kohës së diktaturës ku dhe drejtësia vepronte me urdhra politik”.

Për organin më të lartë të futbollit në vend, kjo “balonë tymuese” lidhet me zgjedhjet për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë.

“Ne duam të garantojmë kandidatët, anëtarët tanë, si edhe të gjithë pretendentët për kandidat se ofrojmë dhe garantojmë të gjitha kushtet për një garë të ndershme, të pastër dhe mundësinë për të zgjedhur të lirë nga ndikimi politik dhe kriminal”, vijon reagimi i federatës.

Më tej, FSHF-ja, vëren se pas tenativave të vazhdueshme të dështuara për të intimiduar, shantazhuar dhe kërcënuar anëtarët e federatës, “Bashkia e Tiranës doli hapur në përfshirjen e saj në këtë proces zgjedhor që i takon ekskluzivisht vetëm komunitetit të futbollit”.

Madje, organi më i lartë i futbollit, e akuzon Bashkinë se shfaqet si “Kryeministër, Prokuror i Përgjithshëm, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, shef i Shërbimit Informativ Kombëtar, President i UEFA-s apo FIFA-s”.

FSHF-ja shtron pyetjen se nëse gjenden të dhëna apo prova, pse nuk i dërgon Bashkia në organet ligjzbatuese por ndjek teknikën e shantazhit publik?

“Bëhet e qartë se ky është një kërcënim i hapur për njerëzit e futbollit sepse provat depozitohen në organet ligjzbatuese dhe jo në media”, shton federata në deklaratën zyrtare.

Referuar reagimit, FSHF-ja shkruan se kjo situatë “ka për qëllim të vetëm krijimin e një klime tensioni në këtë garë”.

Në përmbyllje, federata sulmon Bashkinë e Tiranës duke e akuzuar se po e betonizon territorin e qytetit dhe po zhduk fushat ku duhet të luajnë fëmijët.

Përmes një loje fjalësh me terma futbollistik, organi më i lartë i futbollit në vend, e konsideron lajmin si “autogol mediatik” të Bashkisë së Tiranës.

Kjo e fundit me sulmin e saj, sipas FSHF-së, gjendet në pozicion “jashtë loje”.

Bashkia e Tiranës

Bashkia e Tiranës, në cilësinë e aksionerit kryesor të klubit të futbollit Tirana, do të kërkonte më herët, një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar.

Kjo, për shkelje dhe korrupsion ndaj kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Burime pranë Bashkisë, konfirmuan se prej dy javësh, ka përgatitje mbi një lëvizje të tillë.

Një grup juristësh shqiptarë, amerikanë dhe britanikë, kanë asistuar aksionerët e Tiranës, për të përmbledhur një dosje voluminoze të shkeljeve që sipas tyre, Duka ka kryer në 20 vjet.

Një sërë instancash shqiptare e të huaja, do të prezantohen me çështjen.

Ndër to, Prokuroria e Posaçme SPAK, ajo e Tiranës, Krimi Ekonomik, Agjencia e Pastrimit të Parave, Hetimi Tatimor, FBI, DEA apo edhe dy ambasadat e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe në Shqipëri.

Armand Duka

Në dosje do të jenë të përfshira çështje si shitjet e ndeshjeve ndërkombëtare apo bastet e paracaktuara. Kryesisht me këtë çështje, pritet të merret FBI-ja.

Ndërsa, mbi pretendime për përfshirjen e parave të drogës me aprovimin e Dukës në futbollin shqiptar, pritet të merret DEA amerikane.

Dosja britanike, mund të merret kryesisht me shpenzime të pajustifikuara të familjes Duka.

Kryesisht, në blerje pronash, makinash luksoze e asetesh. I përfshirë do të jetë edhe komisariati i Scotland Yard.

Vepra të tjera të pretenduara për pastrim të parave me anë të kompanive të ndryshme, do t’i kalojnë në shqyrtim Prokurorisë së Tiranës dhe SPAK.

Burime të Bashkisë Tiranë, pohuan po ashtu përfshirje të konsulentëve të huaj të mediave, për të ndërkombëtarizuar shkeljet e Dukës.

Një kërkesë do të ketë ndaj dy ambasadave, edhe për revokim të vizave ndaj familjes Duka, mbi bazën e minimit të futbollit shqiptar.

Një retorikë e tillë është nisur disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili bëri të qartë se gjërat në strukturat drejtuese të futbollit shqiptar duhet të ndryshojnë, pasi ato nuk po promovojnë më vlera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore