Shqipëria

Fuga përgënjeshtron eskortimin e Ramës nga policia gjermane


Drejtori i agjencisë për median dhe informimin pranë Kryeministrisë në Shqipëri, Endri Fuga, ka përgënjeshtruar lajmin nga media gjermane “Spiegel”, sipas së cilës kryeministri Edi Rama është shoqëruar nga policia gjermane pasi nuk kishte vendosur maskën anti-COVID.

Me anë të një statusi në Twitter, Fuga shkruan se incidenti nuk kishte të bënte për vendosjen e maskës kirurgjikale apo FFP2, “por sjelljen e pahijshme të njërit prej anëtarëve të ekuipazhit”.

Shkrimi i Fugës është shoqëruar edhe me një foto të e-Mailit të dërguar nga kompania e fluturimit “Lufthansa”, ku i ka kërkuar falje kryeministrit Rama për sjelljen e “pahijshme” të stafit.

“Ndjesa e kompanisë u pranua që atë ditë”, sqaron më tej Fuga.

“Incidenti” i maskës

Gazeta e njohur gjermane “Spiegel” ka publikuar një artikull mbi një incident që ka ndodhur në një fluturim nga Frankfurti drejt Detroitit, ku protagonisti kryesor ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas gazetës gjermane, ngjarja ka ndodhur në dhjetor të vitit 2021, kur vendi ka qenë duke u përballur me valën e katërt të COVID-19. Në mënyrë të detyrueshme në atë kohë, pasagjerëve u është kërkuar të vendosin një maskë kirurgjikale ose të llojit FFP2, por kryeministri shqiptar ka pasur të vendosur thjesht një maskë pëlhure.

Në atë çast, stafi i fluturimit i ka kërkuar Ramës të vendosë maskën e llojit të përcaktuar, por sipas “Spiegel”, ai ka refuzuar.

Më pas, ka ndërhyrë edhe piloti i avionit, por sërish kryeministri ka refuzuar të vendosë llojet e maskave të përcaktuara.

Më pas, në detyrë është thirrur Policia Federale Gjermane, e cila ka kryer shoqërimin e Ramës dhe stafit të tij me 10 persona, jashtë avionit.

Një ndërhyrje ka pasur edhe nga një zyrtar i lartë i Zyrës së Jashtme Federale, sipas medias gjermane, i cili duke biseduar me Ramën, dhe ka arritur në një akord.

Por, jo për t’u kthyer në të njëjtin avion.

Kompania gjermane e fluturimeve, Lufthansa, ka rezervuar bileta për një fluturim tjetër të të gjithë stafit.

Vetë bosi i Lufthansës, Carsten Spohr, sipas “Spiegel”, ka pohuar për gazetën gjermane se incidenti ka ndodhur, por nuk ka pasur trajtim preferencial për askënd.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore