Lajme

FSSHK kundërshton grevën e përgjithshme


Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK).

Kryesia e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka bërë të ditur se nuk do t’i bashkohet grevës së përgjithshme nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), pasi konsideron se kërkesat nuk janë në interes të punëtorëve shëndetësorë.

Nga FSSHK-ja është thënë se punëtorët shëndetësorë gëzojnë shtesën prej 60 euro dhe nuk ka arsye të mjaftueshme që FSSHK-ja të merr veprime sindikale.

“Kryesia e FSSHK-së në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 25.08.2022 pas shqyrtimit të situatës si dhe paralajmërimit të SBASHK-ut dhe Administratës për fillim të grevës së përgjithshme, del me qëndrim kundër grevës, respektivisht nuk i bashkëngjitet grevës për shkak se kërkesat nuk janë në interes të punëtorëve shëndetësorë”.

“Sepse punëtorët shëndetësorë e gëzojnë shtesën prej 60 euro dhe nuk është arsye e mjaftueshme FSSHK të merr veprime sindikale siç janë grevat për 40 euro”.

Arsyeja tjetër se pse Federata e Shëndetësisë nuk do t’i bashkohet grevës është edhe procedimi i Ligjit të Pagave.

“Gjithashtu se Ligji i Pagave është proceduar për miratim në Qeveri dhe priten konsultime rreth tij. Kryesia vendos që t’i hapë rrugë dialogut për vërejtjet dhe kërkesat e punëtorëve shëndetësorë dhe që ato t’i realizojë nëpërmjet dialogut me komisionet përkatëse si dhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSSHK-së.

Fillimi i grevës nga SBASHK dhe BSPK.

Çka po ndodh?

Nga e enjtja e 25 gushtit punëtorët e sektorit publik kanë hyrë në grevë të përgjithshme dhe për këtë arsyeje të njëjtit po kërcënohen se nuk do të paguhen për orët e humbura të punës.

Bazuar në dokumentin që Ministria e Financave ia ka dërguar grevistëve thuhet se zyrtarët që i janë bashkuar grevës pezullohen nga e drejta për pagesë dhe detyrimi i bindjes për të punuar.

“Pra, kjo i bie që edhe nëse për një orë një zyrtar është në grevë, për një orë nuk ka përgjegjësi për të punuar dhe nuk paguhet”, thuhet në dokument.

Rreth këtij vendimi ka pasur reagime të shumta.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, vendimin e Qeverisë së Kosovës, e ka cilësuar si skandaloze i cili nuk i nganë aspak të një vendimi të një shteti demokratik.

Ajo madje ka kujtuar kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë, dhe mbështete hapur sindikatat dhe nevojën e tyre për grevat.

Në anën tjetër deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka theksuar faktin se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke premtuar zgjidhje për secilin problem në nivel lokal, në nivel qendror e në nivel ndërkombëtar.

“Tash, në vend të zgjidhjeve, Qeveria ka zgjedhur konfrontimi me sindikatat si rrugë e vetme. Kjo rrugë është e gabuar pasi pasojat do t’i bartin të gjithë e jo veç partia në pushtet dhe kryeministri Kurti. Edhe ideja për t’i ndëshkuar sindikalistët grevistë është vepër penale dhe nuk mund të realizohet në një shtet demokratik siç është Kosova”, ka shkruar Barjami në rrjetin e saj social në Facebook.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht ministrisë së Financave ka reaguar edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të cilët kanë thënë se kërcënimi i grevistëve është akt i paligjshëm dhe aspak i mire.

Ata madje kanë bërë të ditur se përkundër kërcënimit nga Qeveria, të njëjtit do të vazhdojnë grevën e tyre të përgjithshme.

“Zgjidhja e duhur është përmbushja e kërkesave të të punësuarve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore