Sport

FSHF merr vendimin për ‘rastin Kastrioti’


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka publikuar njoftimin më të fundit sa i përketë ndeshjes së Abissnet Superiores Kastrioti-Bylis, e vlefshme për javën e 28-të të kampionatit, e planifikuar për tu zhvilluar më datë 9 prill 2023. Takimi, tashmë do të zhvillohet të mërkurën e datës 19 prill në stadiumin “Elbasan Arena” duke filluar nga ora 15:00.

FSHF ka njoftuar gjithashtu se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet ligjzbatuese për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur me zyrtarët e ndeshjes.

Hetimet janë duke vazhduar dhe në të njëjtën kohë, federata thotë që “presim që gjithҫka të sqarohet sa më parë në mënyrë që gara të vazhdojë normalisht deri në fund”.

Klubi Kastrioti do t’i luajë të gjitha ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit në stadiumin “Elbasan Arena” për shkak se Policia e Shtetit nuk merr përsipër garantimin e sigurisë në stadiumin “Kamza”.

Çfarë ndodhi

Juxhin Xhajës do t’i duhej të arbitronte ndeshjen mes ekipeve të Kastriotit dhe Bylisit, të dielën e 9 prillit. Mirëpo kështu nuk ndodhi, pasi arbitri i njohur, i cili gjykon në Superiore në vend, mori disa telefonata kërcënuese në drejtim të tij.

Xhajës i ishte njoftuar natën përpara ndeshjes nga zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, mbi takimin që do të arbitronte. Të nesërmen, ai ka marrë një seri telefonatash me numra anonimë, të cilat i ka anashkaluar, siç raportonte e përditshmja “Panorama Sport”, referuar rastit.

Kërcënuesit gjithsesi kanë gjetur mënyra alternative për ta vijuar “aksionin” e tyre, duke iu drejtuar të afërmve të arbitrit dhe duke i kërcënuar ata me jetë.

Me një situatë të dalë krejtësisht jashtë kontrolli dhe të kthyer në shqetësim real – mbi të gjitha për faktin se bashkëshortja e gjyqtarit është shtatzënë – Xhaja ka marrë masat duke bërë kallëzim në Polici, i alarmuar nga situata.

Menjëherë pas kësaj ngjarje, Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë një vendim të prerë lidhur me ndeshjen e kategorisë superiore, Kastrioti-Bylis. Si pasojë e kërcënimeve që janë bërë karshi arbitrave të përcaktuar për takimin, më 8 prill, ndeshja është anuluar dhe nuk është zhvilluar sipas parashikimit.

“Ditën e djeshme (të shtunën) arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar dhe kjo ngjarje është duke u hetuar nga organet kompetente. Federata e Futbollit është njohur me vendimin e të gjithë klasës arbitrale, që nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme”.

Kështu e ka nisur njoftimin Federata, duke kujtuar edhe se javën e shkuar, sërish nga i njëjti grup tifozerie, janë kërcënuar arbitrat e ndeshjes Kastrioti-Laçi.

Nën presion, trupa e arbitrave është detyruar të anulojë një gol për skuadrën e Laçit, sipas njoftimit.

Ndërsa, po sipas FSHF-së, të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar, zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla.

Menjëherë lidhur me situatën, ka ardhur edhe një përgjigje nga klubi sportiv Kastrioti, duke mohuar çdo përfshirje lidhur me akuzat e ngritura.

Sipas strukturave drejtuese të Kastriotit, të cilët janë distancuar nga ngjarja, klubi nuk ka lidhje me çështjen. Ndaj, vetë ata i bëjnë thirrje organeve kompetente, që të zbardhin sa më shpejt historinë që fshihet pas dhe e cila “prish imazhin e klubit, por edhe të futbollit shqiptar në tërësi”.

“Ne jemi të gatshëm të përballemi me realitetin dhe i bëjmë thirrje organeve kompetente të marrin masa të menjëhershme dhe të zbardhin të vërtetën për këtë akuzë të rëndë. KS Kastrioti distancohet në mënyrë kategorike nga çdo lloj ngjarje që njollos lojën e bukur të futbollit”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga ekipi.

Rrethanat mbeten ende kaotike sa i takon gjithë rrjedhës së ngjarjes dhe futbolli shqiptar, pa diskutim që po kalon një çast krejtësisht surreal, nëse i referohemi viteve të fundit.

Probleme me arbitrat ka pasur gjithnjë në kampionat, duke përfshirë edhe ngjarje të rënda si goditje në fushë me sende të forta apo ofendime nga tribunat.

Mirëpo, rasti “Kastrioti”, është një kategori më vete problematike, e cila për FSHF-në, klubet, por edhe vetë tifozët, kthehet tanimë në një dhimbje të vërtetë koke.

Arbitrat kërcënohen me jetë, Kastrioti-Bylis nuk zhvillohet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore