Sport

Arbitrat kërcënohen me jetë, Kastrioti-Bylis nuk zhvillohet


Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë një vendim të prerë lidhur me ndeshjen e kategorisë superiore, Kastrioti-Bylis, e cila ishte parashikuar të luhej të dielën e 9 prillit.

Si pasojë e kërcënimeve që janë bërë karshi arbitrave të përcaktuar për takimin, më 8 prill, ndeshja është anuluar dhe nuk është zhvilluar sipas parashikimit.

“Ditën e djeshme arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar dhe kjo ngjarje është duke u hetuar nga organet kompetente. Federata e Futbollit është njohur me vendimin e të gjithë klasës arbitrale, që nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme”.

Kështu e ka nisur njoftimin Federata, duke kujtuar edhe se javën e shkuar, sërish nga i njëjti grup tifozerie, janë kërcënuar arbitrat e ndeshjes Kastrioti-Laçi.

Nën presion, trupa e arbitrave është detyruar të anulojë një gol për skuadrën e Laçit, sipas njoftimit.

Ndërsa, po sipas FSHS-së, të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar, zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla.

Të gjendur në këtë situatë, FSHF bën me dije se do të presë deri në fund zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme dhe do të marrë vendimet e duhura për të siguruar ambientin e sigurt në panoramën futbollistike shqiptare.

Konfliktet mes tifozëve dhe arbitrave kanë qenë gjithnjë objekt diskutimi në Shqipëri, pavarësisht se rastet e regjistruara në vitet e fundit, janë më sporadike.

Megjithatë, ky i fundit shënjon një precedent shumë të rëndë dhe një njollë në kampionatin shqiptar, duke cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e ekipit gjykues të ndeshjeve.

Ndaj, masa të ashpra janë të pritshme kundrejt ekipit krutan të Kastriotit dhe strukturave drejtuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore