Lajme

Franca dhe Gjermania: Traktati Elysee mund të shërbej për pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë


Ilustrim

Ambasada e franceze dhe ajo gjermane në Prishtinë, kanë publikuar një letër në kuadër të 59-vjetorit të traktatit të Elysee-ut që kishte shënuar pajtimin franko-gjerman.

Sipas letrës së këtyre dy ambasadave, pajtimi franko-gjerman mund të inkurajojë që një gjë e tillë të ndodhë edhe mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Pajtimi i mundshëm do i shërbente përmirësimit të raporteve të të dyja vendeve.

“Ky integrim rajonal është, siç e dimë ne francezët dhe gjermanët, njëkohësisht një arsye dhe një përfitim i pajtimit”.

“Është një rreth virtuoz që fillon sapo të jenë hedhur hapat e parë – të vështirë”, thuhet në letër.

Sipas letrës së ambasadores franceze në Kosovë, Christine Butel, dhe ambasadorit gjerman, Jorn Rohde, status quo-ja mes dy fqinjëve është sklerozë dhe pengesë në zhvillimin e shteteve (Kosovës dhe Serbisë) por edhe për vet Evropën pasi që përbënë rrezik.

“Prandaj, jemi të bindur se do të ishte gabim të mendohet se status quo-ja aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e mirë për këdo”.

“Është një sklerozë dhe një pengesë për zhvillimin e të dy vendeve, një rrezik jostabiliteti për rajonin dhe për Evropën në tërësi”, thuhet mes tjerash në letër.

 

Çfarë është Traktati i Elysee?

Traktati i Elysee ishte një traktat miqësie mes Francës dhe Gjermanisë Perëndimore.

Kjo miqësi ishte nënshkruar nga Presidenti francez Charles de Gaulle dhe kancelari gjerman Konrad Adenauer më 22 janar 1963 në Pallatin Elysee në Paris.

Më 22 janar 1963, kancelari Konrad Adenauer dhe presidenti francez Charles de Gaulle gjatë nënshkrimit të një marrëveshje në Pallatin Elysee në Paris, për bashkëpunimin franko-gjerman.

Me nënshkrimin e këtij traktati, Franca dhe Gjermania vendosën raporte të reja, pas një historie me rivalitet dhe luftëra shekullore.

Traktati bëri thirrje për konsultime të rregullta midis Francës dhe Gjermanisë Perëndimore për të gjitha çështjet e rëndësishme në lidhje me çështjet e mbrojtjes, arsimit dhe rinisë.

Ai kërkon gjithashtu samite të rregullta ndërmjet zyrtarëve të nivelit të lartë, gjë që nënkupton se krerët e shteteve dhe qeverive duhet të takohen të paktën dy herë në vit dhe Ministrat e Punëve të Jashtme çdo tre muaj, për të siguruar bashkëpunim të ngushtë midis dy shteteve.

Takimi i parë midis dy krerëve të shteteve u zhvillua në shtëpinë private të gjeneralit de Gaulle në Colombey-les-Deux-Eglises, në shtator të vitit 1958.

Nga atëherë, liderët shtetëror francez dhe gjerman kanë zhvilluar marrëdhënie të forta, shpesh të konsideruar si motori i integrimit evropian.

Gjithashtu, u krijua një komision ndërministror për të koordinuar dhe anashkaluar bashkëpunimin franko-gjerman. Ai përbëhej nga zyrtarë të rangut të lartë të çdo ministrie të përfshirë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron, së bashku me ligjvënësit nga të dy vendet, kishin bërë thirrje për një “Traktat të ri të Elysee” në janar të vitit 2018 me rastin e 55 vjetorit të tij.

Traktati i ri është nënshkruar më 22 janar 2019 dhe njihet si “Traktati i Aachenit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore