Lajme

Foxconn i Tajvanit zbulon tre prototipe të automjeteve elektrike


Foxconn, gjigandi teknologjik i Tajvanit, ka zbuluar tre prototipet e para të automjeteve elektrike.

Përpos këtij zbulimi, kompania ka veçuar edhe planet ambicioze për t’u diversifikuar larg rolit të ndërtimit të pajisjeve elektronike të konsumit për Apple-in dhe firmat e tjera të teknologjisë.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se tre automjetet – një SUV, një sedan dhe një autobus – u prodhuan nga Foxtron-i, në një ndërmarrje e përbashkët me prodhuesin tajvanez të makinave, Yulon Motor Co Ltd.

Tso Chi-sen, nënkryetari i Foxtron-it, ka bërë me dije se automjetet elektrike do të kenë në dispozicion një trilion dollarë në pesë vjet, një shifër ekuivalente me afro 35 miliardë dollarë.

Sipas “Reuters”, kompania synon të bëhet një lojtar kryesor në tregun global të makinave elektrike dhe ka arritur marrëveshje me startup-in amerikan, Fisker Inc dhe grupin e energjisë së Tajlandës, PTT PCL.

Kryetari i Foxconn, Liu Young-way, ka thënë se kompania është gati dhe “nuk është më fëmija i ri në qytet”.

Këtë, ai e ka thënë në ngjarjen e ditëlindjes së themeluesit miliarder të kompanisë të quajtur Terry Gou.

Gou e çoi sedanin, i cili u zhvillua së bashku me firmën italiane Pininfarina të dizajnit, në skenë nën melodinë e “Gëzuar ditëlindjen”.

Në vitet e ardhshme, sedani do të shitet nga një prodhues i paspecifikuar i makinave jashtë Tajvanit, ndërsa SUV-ja do të shitet nën një nga markat e Yulon dhe është planifikuar të dalë në treg në Tajvan në vitin 2023.

Kurse autobusi, i cili do të mbajë një simbol Foxtron, do të fillojë vitin e ardhshëm të funksionojë në disa qytete në Tajvanin jugor në një partneritet me një ofrues të shërbimit lokal të transportit.

Këtë muaj, Foxconn-i bleu një fabrikë nga kompania amerikane, Lordstown Motors Corp. Kjo për të bërë makina elektrike.

Kurse në gusht, kompania bleu një fabrikë çipash në Tajvan në një lëvizje për të furnizuar kërkesën e ardhshme për gjysmëpërçues automjetesh.

Gjithashtu ka vendosur një objektiv për të siguruar komponentë ose shërbime për 10 për qind të makinave elektrike të botës deri në vitet 2025 dhe 2027.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore