Lajme

Fotoja e ministrit iranian dhe të fejuarës së tij pa hixhab, një “hipokrizi”


Në sfond ka ngado palma.

Në të djathtë duket një grua me hixhab që është gati të bëjë një foto.

Në të majtë, një burrë me një xhaketë gri pranë një gruaje tjetër, pa hixhab, shikon drejt kamerës.

Nuk do të kishte asgjë të çuditshme nëse ai nuk do të ishte ministri iranian i Transportit, një mbështetës i madh i diktaturës teokratike të udhëheqësit shpirtëror Khamenei.

Fotoja daton në vitin 2011, kur çifti udhëtoi për në Malajzi.

Por në Twitter imazhi ka nisur të qarkullojë pak orë më parë, duke ngjallur indinjatë nga shumë e shumë përdorues.

Më e drejtpërdrejtë ka qenë gazetarja dhe aktivistja iraniane Masih Alinejad, e cila që nga fillimi i protestave për vdekjen e Mahsa Amini-t ndan në mediat sociale se çfarë ndodh në vendin e saj.

“Gratë vriten në Iran sepse nuk mbajnë hixhab, por shikoni sesi shefi i gjeneralit të Gardës Revolucionare dhe ministri aktual i Transportit, Rostam Qasemi, gëzon lirinë me të dashurën e tij në Malajzi”, ka shkruar ajo.

Kurse “regjimi hipokrit po vret adoleshente se ecin rrugëve pa hixhab”, ka vijuar gazetarja.

Një standard i dyfishtë i papranueshëm, veçanërisht në këto kohë kur autoritetet iraniane po shtypin me forcë, qëllojnë me plumba dhe hedhin gaz lotsjellës mbi turmën e demonstruesve që i kanë vënë zjarrin vendit për më shumë se gjashtë javë.

Autoritetet vrasin, plagosin, zhdukin dhjetëra vajza e djem, të cilët që nga vdekja e Amini-t, 22-vjeçares së vrarë për flokët jashtë hixhabit, dalin çdo ditë në rrugët e Iranit për të kërkuar “liri”.

Sakaq, një tjetër përdorues në Twitter, ka thënë të mos harrohet se “trupat e Gardës së Revolucionit Islamik janë një klasë më vete”.

“Pavarësisht se ishin përkrahësit më të zellshëm të Ajetullahut, shumë i dërgojnë fëmijët e tyre në universitetet më të mira perëndimore, kënaqen me luksin e konsumizmit perëndimor dhe përqafojnë stilin e jetës perëndimore. Ata janë hipokritët më të mëdhenj”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, OJQ-ja Iran Human Rights ka njoftuar për bilancin e viktimave të 46 ditëve të fundit. Bëhet fjalë për më shumë se 253 të vrarë, përfshirë 34 fëmijë.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore