Lajme

Foshnja në mesin e gjashtë të vrarëve në sulmin e mundshëm të kartelit në Kaliforni


Katër breza të një familjeje u vranë në atë që përshkruhet si një “ekzekutim i ngjashëm me kartelin” në një rezidencë në Kaliforni, e njohur për policinë për aktivitete të lidhura me drogën.

Një nënë 16-vjeçare, djali i saj 10 muajsh, gjyshja dhe stërgjyshja e foshnjës ishin mes viktimave, thotë policia dhe familja.

Shtëpia në Goshen, me 3 mijë banorë, ishte bastisur nga policia javën e kaluar.

Policia thotë se është në kërkim të dy të dyshuarve të njohur për “masakrën në shënjestër”.

Në një konferencë shtypi të martën, Sherifi i Qarkut Tulare, Mike Boudreaux nuk dha emrat e të dyshuarve, por zbuloi se shumëçka dihej tashmë për autoritetet për tragjedinë.

Policia kishte kontrolluar banesën vetëm javën e kaluar dhe gjeti sasi të marijuanës dhe metamfetaminës.

“Asnjë nga këto nuk ishte rastësisht”, tha Boudreaux.

“Ishte e qëllimshme, e qëllimshme dhe e tmerrshme”.

Sipas Boudreaux, një i mbijetuar ishte shtrirë në dysheme, me këmbët te dera, në mënyrë që të parandalonte sulmuesit të hynin në dhomë.

“Ai ishte në një gjendje të tillë frike saqë gjithçka që mundi të bënte ishte të mbante derën, duke shpresuar se ai nuk ishte viktima e fundit”,  tha sherifi.

Policia u thirr në pronë nga një i mbijetuar rreth orës 03:30 të hënën. Ata gjetën dy trupa në rrugë dhe të tjerë brenda shtëpisë.

Sherifi Boudreaux tha se fëmija dhe nëna duket se ishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe se provat mjeko-ligjore tregojnë se vrasësi qëndronte mbi viktimat dhe qëlloi në kokat e tyre nga lart.

Zyra e FBI-së në San Francisko po ndihmon në hetim dhe një shpërblim prej 10 mijë dollarësh po ofrohet për informacionin që çon në një arrestim.

Policia po monitoron kufirin e Meksikës dhe Kanadasë për të dyshuarit, tha sherifi, duke shtuar se “kufiri shumë i pasigurt” ka lejuar që aktiviteti i kartelit meksikan të drogës të rritet në zonën qendrore të Kalifornisë në vitet e fundit.

“Më lejoni ta bëj shumë të qartë këtë, jo të gjithë këta njerëz në këtë shtëpi ishin anëtarë të bandës”, tha Boudreaux, duke shtuar se nëna dhe fëmija ishin viktima të pafajshme.

Ai tha se vrasjet duken “të ngjashme me ekzekutimet e bandave të rangut të lartë dhe stilin e ekzekutimit që ata kryejnë”, sepse viktimat “u qëlluan në vende ku një qëllues e dinte se do të ndodhte vdekja e shpejtë”.

Qindra prova janë mbledhur deri më tani, tha sherifi, dhe rezultatet e ekzaminimeve pas vdekjes së viktimave priten deri të premten.

Ai gjithashtu i bëri thirrje publikut që të kontrollojnë kamerat CCTV në pronën e tyre për video të automjeteve të dyshimta në zonë nga ora 03:00 deri në orën 05:00 të së hënës.

Gjyshi i Elyssa Parraz tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se ajo kishte jetuar me familjen e babait të fëmijës në Goshen, Kaliforninë qendrore. Samuel Pina tha se u vranë edhe daja, gjyshja dhe stërgjyshja e foshnjës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore