Kosova

FMN: Ekonomia e Kosovës kërcënohet nga ngritja e çmimeve të mallrave dhe përshkallëzimi i tensioneve në veri


Ilustrim

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ua ka tërhequr vërejtjen autoriteteve kosovare se tensionet sporadike në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjithashtu edhe ngritja e çmimeve të mallrave, mund të kërcënojnë perspektivën ekonomike të vendit.

Në një komunikatë për shtyp pas vizitës së misionit të FMN-së në Prishtinë midis 18 dhe 27 marsit 2024, ky institucion financiar ndërkombëtar listoi rreziqet dhe mundësitë ekonomike për Kosovën, duke veçuar rëndësinë e progresit në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe zbutjen e tensioneve në pjesën veriore të territorit kosovarë të banuar kryesisht me serbë.

“Rreziqet për perspektivën ekonomike përfshijnë rritjen e çmimeve të mallrave për shkak të tensioneve gjeopolitike, aktivitetin e dobët të ekonomive të zhvilluara evropiane dhe përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës”, nënvizoi FMN-ja, derisa shtoi se progresi në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) mund të rrisë investimet e huaja (IHD).

“Nga ana tjetër, përparimi thelbësor në dialogun me Serbinë dhe procesin e pranimit në BE mund të rrisë besimin, IHD-të, turizmin, mbështetjen financiare të donatorëve dhe rritjen ekonomike”, potencoi FMN-ja nëpërmjet një komunikate për shtyp. Në bazë të FMN-së, ekonomia e Kosovës vazhdoi të performojë mirë, pavarësisht nga një mjedis sfidues i jashtëm.

FMN-ja në nëntor të vitit të kaluar vlerësoi gjithashtu se vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave për kosovarët, i cili hyri në fuqi më 1 janar të vitit 2024, tensionet e shpeshta në pjesën veriore të territorit kosovar, por edhe sanksionet e bllokut evropian ndaj Kosovës, mund të kërcënojnë zhvillimin ekonomik të vendit në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme.

FMN: Tensionet në veri dhe liberalizimi i vizave mund të kërcënojnë stabilitetin ekonomik të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore