Financa

FMN akordon fondin prej 488 milionë dollarësh për Angolën


Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka miratuar  një fond prej 488 milionë dollarësh për Angolën.

Angola ka një popullsi prej 33 milionë banorësh dhe ndodhet në Afrikën qendore.

Fondi i akorduar pritet të mbajë borxhin publik të Angolës në nivele të qëndrueshme.

FMN-ja rriti borxhin në 4.5 miliardë dollarë për të ndihmuar Angolën të përballojë pasojat e pandemisë.

Reformat ekonomike synojnë të zvogëlojnë varësinë e Angolës nga nafta dhe të ulin borxhin e shtetit afrikan.

Një rënie e çmimeve të naftës vitin e kaluar e detyroi Angolën të kërkonte lehtësimin e borxhit me vlerë prej 6.2 miliardë dollarësh.

Angola gjithashtu siguroi një “ngrirje” të detyrimeve prej 1.78 miliardë dollarësh në pagesa për borxhin.

Autoritetet e Angolës kanë miratuar masa për të përballuar krizën e shkaktuar nga pandemia.

Qeveria ka miratuar një buxhet shtesë për vitin 2020.

Shteti afrikan miratoi gjithashtu masa fiskale dhe monetare për të mbështetur aktivitetet ekonomike në vazhdimësi.

Masat ekonomike do të sigurojnë një lehtësim të konsiderueshëm të borxhit.

Këto masa do të ndihmojnë në uljen e rreziqeve që lidhen me qëndrueshmërinë e borxhit.

Në tetor, FMN-ja parashikoi që prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i Angolës do të rritej me 3.2% në 2021.

Kjo rritje pritet të ndodhë pas tkurrjes ekonomike pesë vjeçare që ka kaluar shteti afrikan.

Sipas programit të FMN-së, Angola pritet të shesë 195 biznese ose aksione për të rritur financat e saj publike dhe për të zvogëluar rolin e shtetit në ekonomi.

Shitjet do të përfshijnë aksionet e pjesshme në kompaninë kombëtare të naftës Sonangol dhe firmën e diamantit Endiama.

Qeveria synon gjithashtu të heqë subvencionet e karburantit dhe të rrisë tarifat e transportit publik pas pandemisë.

Sipas informacioneve zyrtare, në Angola 420 persona kanë humbur jetën nga COVID-19, nga një total prej 18 mijë e 254 rastesh të personave të prekur.

Situata ekonomike e Angolës

Ekonomia e Angolës drejtohet kryesisht nga sektori i saj i naftës. Prodhimi i naftës dhe aktivitetet e tij mbështetëse kontribuojnë rreth 50% të PBB-së, më shumë se 70% të të ardhurave të qeverisë dhe më shumë se 90% të eksporteve të vendit.

Angola është një anëtare e OPEC dhe i nënshtrohet drejtimit të organizatës në lidhje me nivelet e prodhimit të naftës.

Shteti afrikan është prodhuesi i tretë më i madh i diamantëve në Afrikë.

Recesioni global që filloi në 2008 bllokoi rritjen ekonomike të Angolës dhe shumë projekte ndërtimi si pasojë e borxheve të qeverisë.

Çmimet më të ulëta për naftën dhe diamantet gjithashtu rezultuan në rënien e PBB-së në 2016.

Pas zgjedhjes në 2017, Presidenti João Lourenço ka ndërmarrë reforma të shumta ligjore dhe masa të tjera që kishin për qëllim uljen e varësisë së Angolës nga nafta.

Objektivat e presidentit lidhen me rritjen e investimeve të huaja dhe të brendshme si dhe rritjen e lehtësisë së të bërit biznes.

Presidenti me reformat e tij synon rritjen e kontrolleve qeveritare dhe promovimin e sektorit privat.

Rënia e çmimeve të naftës si dhe goditjet ekonomike nga COVID-19 i dhanë një goditje të rëndë reformave të presidentit Lourenço./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore