Lajme

Flamuri i Kosovës ulet në gjysmë shtizë, ditë zie për viktimat e aksidentit në Kroaci


Në të gjitha institucionet, flamuri i Republikës së Kosovës është ulur në gjysmë shtizë.

Në nderim të 10 personave të vdekur dhe dhjetëra të tjerëve të lënduar në aksidentin tragjik në Kroaci, Presidentja e venit Vjosa Osmani, të hënën e ka shpallur ditë zie.

Vetaksidenti i autobusit të kompanisë “Deva Tours” po udhëtonte nga Frankufurti drejt Prishtinës.

Të dielën rrugën për në Kroaci mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me disa nga ministrat e kabinetit të tij.

Ai vizitoi të lënduarit të cilët po trajtoheshin në spitalin në Slavonski Brod.

Ndërsa mëngjesin e kësaj të hënë, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë (MPJD), Donika Gërvalla ka treguar se dy nga personat e lënduar gjenden në mjekim intensiv në spitalin e qytetit Slavonski Brod, e që njëri nga ta është në gjendje më stabile.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka njoftuar se vetëm njëri nga të lënduarit është duke u trajtuar në spitalin e Zagrebit, për arsye specifike mjekësore.

“Vetëm një nga të lënduarit është dërguar për arsye specifike mjekësore në Zagreb, të gjithë të tjerët janë vendosur në spitalin e qytetit. Dy nga pacientët ende ndodhen në trajtim intensiv, njëri prej tyre në gjendje tashmë stabile. Të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe shumë prej tyre pritet të lirohen nga spitali gjatë ditës së sotme. Sipas informacioneve të mjekëve kroatë, edhe gjendja e pacientit në Zagreb është e mirë dhe stabile”, ka shkruar ajo.

Tutje, Gërvalla ka njoftuar se trupat e pajetë do të dërgohen tek familjet e tyre pasi të përfundojnë procedurat e nevojshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela janë kthyer nga Kroacia ku mbrëmë kanë vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalit e Brodit.

Në Kroaci po vazhdojnë të qëndrojnë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia për t’i koordinuar tutje veprimet dhe të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtareve që janë lënduar.

Dhjetë qirinj të cilët simbolizojnë dhjetë jetët e humbura në aksidentin në Kroaci u ndezën pranë Teatrit Kombëtar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë mbrëmjen e së dielës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore