Lajme

Kosovë: Homazhe dhe ndezje qirinjsh për 10 kosovarët e vdekur në Kroaci


Ilustrim

Pas aksidentit tragjik të autobusit të linjës Gjermani-Kosovë që ndodhi në Kroaci, ku humbën jetën 10 persona dhe mbetën të lënduar dhjetëra të tjerë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka organizuar homazhe dhe ndezje qirinjsh para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Aksioni është organizuar në nder të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin e sotëm, ndërsa ndezja e qirinjve do të nis me datë 25 korrik nga ora 21:00.

“Në nderim të bashkatdhetarëve tonë që humbën jetën në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm në Kroaci, së bashku le të bëjmë homazhe me ndezje të qirinjve para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, sonte, nga ora 21:00”, shkruan faqja zyrtare e Qeverisë së Kosovës në Facebook.

Në mëngjesin e të dielës si pasojë e një aksidenti të rëndë të një autobusi me udhëtarë nga Gjermania për në Kosovë, në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Pas aksidentit në Kroaci, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e hënë të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Kroaci.

Ajo e ka ndërprerë vizitën e saj në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore