Lajme

“Fitoi referendumi-shans i madh për Kosovën”


“Certifikimi i rezultateve u bë sot. Fitoi referendumi, fituam në referendum. 50,28%. Ditë e mirë për Republikën. Shans i madh për Kosovën”, ka shkruar në Facebook, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ai ka falënderuar edhe mërgatën për votën e tyre dhe të gjithë aktivistët e anëtarët e LVV-së për punën e bërë gjatë zgjedhjeve.

“Ju faleminderit të gjithë qytetarëve dhe mërgatës për votën e tyre me 14 shkurt, të gjithë anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për punën dhe angazhimin e tyre, të gjithë kandidatëve të listës sonë 127 për përfaqësimin dhe kontributin e tyre”, ka shkruar Kurti.

“U jam mirënjohës përzemërsisht e përjetësisht të gjithëve. Fitorja është e secilit prej jush”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke fituar 50.28 për qind të votave.

Sipas KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48,87%, apo mbi 800 mijë votues. Sipas renditjes së vendeve në parlament, Lëvizja Vetëvendosja ka siguruar 58 deputetë.

Ndërkohë, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani i kanë ftuar Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, për t’i takuar siç kanë thënë për formimin e institucioneve.

Ftesës i janë përgjigjur pozitivisht PDK-ja dhe AAK-ja. Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ende s’ka vendosur.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore