Sport

Fiorentina e fton në stërvitje sulmuesin shqiptar


Sulmuesi shqiptar, Eljon Toçi, pati një sezon shumë të mirë me ekipin e të rinjve te Fiorentina, duke shënuar 18 gola dhe dhuruar tetë asistime.

Në këtë mënyrë, ai tani e ka mundësinë për t’i treguar vlerat e tij edhe me ekipin A të klubit italian, pasi që trajneri Vincenzo Italiano e ka ftuar të stërvitet me ekipin e tij.

Ky i fundit ka ftuar 19 vjeçarin kuqezi që të bëhet pjesë e grumbullimit të skuadrës, bashkë me dy futbollistë të tjerë të ekipit të të rinjve, pasi dëshiron të monitorojë nga afër rritjen e tyre.

Tani i takon Toçit të tregojë aftësitë e tij me skuadrën e parë, për ta bindur trajnerin italian që ta mbajë në skuadër për sezonin e ri.

Por, edhe nëse nuk do të jetë me Fiorentina-n, me shumë mundësi Toçi do të huazohet në ndonjë skuadër tjetër italiane.

Sipas mediave italiane, për Toçin kanë shprehur interes disa klube të Serie B, që janë gati ta marrin në huazim, megjithatë fjalën e fundit do ta thotë Italiano, pasi ta ketë parë nga afër djaloshin kuqezi.

Kujtojmë që Toçi është pjesë edhe e kombëtares U21 të Shqipërisë, ku deri më tani numëron pesë grumbullime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore