Sport

FIFA i kërkon Uruguajit të heqë dy yje nga fanella


Fanella e Kombëtares së Uruguajit ka katër yje mbi stemën e saj që qëndrojnë aty për shume vite me radhë, por tashmë duket se ka një problem për FIFA.

E përditshmja franceze “L’Equipe” raporton se organi më i lartë i futbollit në botë, FIFA, i ka kërkuar sponsorit teknik të Kombëtares së Uruguajit “Puma” që të heqë dy nga katër yjet e vendosur në fanellën “Celeste”.

Fanella me dy yje duhet të përdoret që në ndeshjen e radhës që Uruguaji ka, atë në kualifikueset e Kupës së Botës 2022.

Uruguaji ka fituar dy herë Kupën e Botës në vitet 1930 dhe 1950, ndërsa shtoi dhe dy yje të tjera duke iu referuar dy triumfeve në Lojërat Olimpike në 1924 dhe 1928.

Rregullat e FIFA përcaktojnë se yjet në fanellë i referohen një Kupe Bote të fituar, që në rastin konkretë Uruguaji duhet të ketë vetëm dy yje.

Ndërkohë, për këtë çështje ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Uruguajit nëpërmjet shefit të garave, Jorge Casales-it.

“Ne jemi duke punuar për të anuluar vendimin e FIFA ose për të njohur që Lojërat Olimpike të konsiderohen kampionate botërore”, tha Casales-i për “Sport 890”.

Pritet që së shpejti federata uruguajane të depozitojë në FIFA kërkesën e saj për të mbajtur katër yjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore