Lajme

Fatkeqësia me varkën e fundosur në Greqi: Të afërmit kanë frikë nga më e keqja


Shaheen Sheikh Ali e dinte se diçka e keqe kishte ndodhur.

Katër të afërm meshkuj, të gjithë nën moshën 30 vjeç, dyshohet se ndodheshin në bordin e anijes së peshkimit që u përmbyt 80 kilometra larg brigjeve greke.

“Njerëzit janë duke pritur për lajme të mira”, ka thënë ai. Por të gjithë kanë frikë nga më e keqja.

31-vjeçari tani jeton në Gjermani, por ai është sirian dhe nga qyteti me shumicë kurde, Kobane.

Ai njeh 12 persona që besohet se kanë qenë në varkë.

Është një nga tragjeditë më të rënda të emigrantëve në vitet e fundit me afro 80 njerëz të vdekur dhe të paktën 100 të shpëtuar.

Por dyshohet se deri në 750 njerëz mund të kenë hipur në varkë, duke përfshirë 100 fëmijë.

“Ne nuk kishim dëgjuar prej tyre për ditë të tëra dhe as nuk e dinim nëse ishin në varkë”, ka treguar Ali.

Sipas tij, kontakti i fundit në grupin e Whatsapp-it me të afërmit në Siri ndodhi thuajse një javë më parë.

Që nga 14 qershori, ai dhe familja e tij kanë marrë lajme kontradiktore nëse grupi është i vdekur apo i gjallë.

“Në incidente si ky, nuk mund të dihet me siguri nëse dikush ka vdekur apo është gjallë. Një fjalë mund të shkatërrojë moralin e të gjithë familjes”, ka thënë ai.

Për gazetarin britaniko-pakistanez Raja Faryad Khan, lajmi ishte i mirë. Nipi i tij 22-vjeçar Adnan Bashir është një nga të mbijetuarit e paktë.

Por lehtësimi i tij është i ngjyrosur me trishtim pasi deri në 16 njerëz nga fshati i tij në Kashmirin e administruar nga Pakistani mund të kishin qenë në varkë.

Khan udhëtoi nga Britania e Madhe në qytetin port grek të Kalamata-s për të takuar nipin e tij, por roja i sigurisë i lejoi vetëm disa momente me të.

Në Gjermani, Ali po jeton me agoninë e pasigurisë teksa përshkruan udhëtimin që bënë të afërmit e tij.

Ata u kontrabanduan nga Siria në Liban përpara se të fluturonin për në Libi, ku qëndruan për 40 ditë duke pritur një shans për të kaluar Detin Mesdhe dhe për të arritur në Itali.

Sipas Ali, grupi pagoi të paktën 5 mijë dollarë secili për kontrabandistët, por kjo nuk i shpëtoi ata nga trajtimi i ashpër nga nikoqirët e tyre.

Ai ka treguar se të afërmit e tij ishin vendosur në një bllok betoni pa mobilje dhe duhej të flinin mbi batanije të vendosura në dyshemenë e fortë.

Hera e fundit që ai foli me dikë nga grupi ishte fillimi i qershorit, kur disa nga të afërmit e tij la të kuptohet se një kalim mund të ishte i afërt.

“Ata më thanë se do të largoheshin së shpejti sepse moti ishte i nxehtë dhe deti ishte mjaft i qetë”, ka kujtuar Ali.

Çka e bën dhimbjen e tij më të thellë është se ai vetë rrezikoi jetën për t’i shpëtuar luftës në Siri në vitin 2016.

Por në atë kohë, ishte shumë më e lehtë për njerëzit të arrinin në Evropë, pasi kishte më shumë rrugë migrimi.

Ali kaloi kufirin turk përpara se të nisej për një udhëtim shumë më të shkurtër me varkë për në Greqi.

Një tjetër ndryshim i vënë në dukje nga Ali është se pasagjerët në gomonen e tij kishin të gjithë me xhaketa shpëtimi.

Roja bregdetare greke ka thënë se asnjë nga personat në bordin e anijes së peshkimit të përmbysur nuk i kishte veshur ato.

Megjithatë, Ali mund ta vendosë veten lehtësisht në vendin e të afërmve të tij, duke imagjinuar se çfarë ata duhet të kenë menduar përpara se të hipnin në varkën e peshkimit.

“Ju nuk e dini se çfarë do të ndodhë. Ju shqetësoheni se dikush mund të vdesë, dikush mund të bjerë. Pavarësisht se si përpiqem, nuk mund ta përshkruaj se si ndihem në lidhje me këtë tragjedi”.

31-vjeçari është i irrituar nga roli që luajnë kontrabandistët, të cilët i akuzon se “i trajtojnë njerëzit si mish për top”.

“Unë imagjinoj se ata kontrabandistë as që llogarisin sa njerëz do të hipin në një varkë. Ata nuk kujdesen për pasojat”, ka thënë ai.

Po ashtu bën edhe një apel për më shumë mirëkuptim dhe solidaritet.

“Njerëzit kanë nevojë për rrugë më të sigurta. Askush nuk do ta ndalë kurrë migrimin, as vendet evropiane apo askush”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore