Aplikacione

Facebook-u, partneritet me gjermanët


Platforma e medias sociale, Facebook, ka përfshirë një sërë partnerësh gjermanë të medias lidhur me sigurimin e përmbajtjeve të lajmeve, mirëpo botuesi kryesor nuk merr pjesë.

Agjencia e lajmeve, Reuters, shkruan se opsioni kushtuar lajmeve, Facebook News, do të paraqesë raportime të të përjavshmeve gjermane, Die Zeit dhe Der Spiegel, pa munguar as të përditshmet, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Handelsblantt dhe Taggespiegel.

Mirëpo, botuesi kryesor në tregun gjerman, Axel Springer, i cili nxjerr tabloidin Bild dhe gazetën konservatore Die Welt, nuk ka pranuar të bëhet pjesë e partneritetit.

“Përpjekjet nga disa platforma, nga njëra anë për të pozicionuar veten si media të lajmeve dhe, nga ana tjetër, për të ngecur botuesit me shpërblime të papërshtatshme, janë problematike”, ka deklaruar një zëdhënës i Axel Springer-it.

Reuters shton se Springer-i pretendon të mbështetet te rregullat evropiane të së drejtës së autorit, të cilat lejojnë që të gjithë botuesit të marrin një pjesë të përshtatshme të shpërblimit.

Lidhur me kushtet financiare të partneritetit nuk është zbuluar ende asgjë.

“Një pjesë e bazës sonë të përdoruesve dëshiron të lexojë më shumë lajme”, ka thënë drejtori i partneritetit të lajmeve në Evropë, Jesper Doub, duke shtuar se pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë, Facebook News-i do të jetë i disponueshëm edhe në Francë së shpejti.

Lëvizja e Facebook-ut vjen pas një kohe mosmarrëveshjeje me Australinë, për shkak të ligjit të propozuar, i cili detyronte kompanitë teknologjike të paguanin kundrejt aksesit në përmbajtjen e lajmeve.

Mosmarrëveshjet u mbyllën me rikthimin e seksionit të lajmeve për përdoruesit australianë pas bllokimit nga vetë platforma dhe u pasuar nga deklarata e platformës se do të investojë një bilion dollarë në industrinë e lajmeve përgjatë tre viteve të ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore