Aplikacione

Facebook-u i shtyn skeptikët drejt mohimit të ndryshimeve të klimës


Referuar një studimi të fundit, platforma Facebook i shtyn përdoruesit drejt keqinformimeve gjithnjë e më ekstreme dhe drejt grupeve konspirative.

Nga Global Witness, raporti ka zbuluar se algoritmi i Facebook-ut përforcon dyshimet në vend që t’i shtyjë njerëzit drejt informacionit të besueshëm.

Por Facebook-u ka thënë se sistemet e tij janë “të dizajnuara për të reduktuar keqinformimin”.

Për këtë, studiuesit krijuan dy përdorues skeptikë ndaj ndryshimeve të klimës, Jane dhe John, të cilët ndoqën organet shkencore.

Më pas, ata gjurmuan atë që algoritmi i Facebook-ut u sugjeroi të dy llogarive.

Shumë shpejt, Jane pa përmbajtje që mohonte ndryshimin e klimës të shkaktuara nga njeriu, duke përfshirë faqe që i kundërviheshin masave për të zbutur efektet e tij.

Shembujt përfshinin postime që akuzonin lëvizjen e gjelbër për “skllavërimin e njerëzimit”, duke e quajtur Organizatën e Kombeve të Bashkuara “një regjim autoritar me shumë pak kredibilitet”.

Postime të tjera mohonin faktin se njerëzit kishin ndikuar në klimë.

Nga të gjitha faqet e rekomanduara për llogarinë e saj, vetëm një ishte pa keqinformime për ndryshimet klimatike.

Dhe dy të tretat nuk përmbanin një etiketë paralajmëruese që tregonte drejt qendrës së shkencës klimatike të Facebook-ut, një qendër informacioni e krijuar vitin e kaluar.

Kjo pasi shefi Mark Zuckerberg është i mendimit se keqinformimet mbi klimën janë “një çështje madhore”.

Kurse John-it, që ndoqi faqen e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), iu tregua vazhdimisht përmbajtje e besueshme e bazuar në shkencë.

Teksa simulimi vazhdoi, Facebook-u filloi t’i rekomandonte Jane përmbajtje edhe më ekstreme.

Kështu, algoritmi ka treguar se i dërgon përdoruesit drejt përmbajtjeve gjithnjë e më të skajshme kur përdoruesit angazhohen me postime për një temë të caktuar.

 

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore