Aplikacione

Facebook-u drejt mbrojtjes së llogarive të afganëve mes kontrollit të talebanëve


Media sociale, Facebook, ka sjellë masa të reja sigurie për përdoruesit e shqetësuar për sigurinë e tyre në Afganistan, teksa talebanët vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre mbi pushtetin.

Kompania ka bërë me dije se “hoqi aftësinë për të parë dhe kërkuar në listën e ‘Miqve’ për llogaritë e Facebook-ut në Afganistan” për të mbrojtur njerëzit nga shënjestrimi.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se edhe platforma profesionale, LinkedIn, ka ndërmarrë gjithashtu hapa duke fshehur lidhjet e kujtdo në vend.

Kjo pasi ka shqetësime se talebanët po përdorin mediat sociale për të gjetur kundërshtarët.

Masat shtesë të sigurisë u njoftuan të enjten e 19 gushtit nga shefi i politikës së sigurisë në Facebook, Nathaniel Gleicher.

“Ne kemi nisur një mjet me një klikim për njerëzit në Afganistan për të mbyllur shpejt llogarinë e tyre. Kur profili i tyre është i kyçur, njerëzit që nuk janë miqtë e tyre nuk mund të shkarkojnë ose ndajnë foton e profilit të tyre ose të shikojnë postimet në kronologjinë e tyre”, ka shkruar Gleicher në Twitter.

Ai ka vijuar se në Instagram, i cili është në pronësi të Facebook-ut, “ne po lëshojmë paralajmërime të shpeshta në Afganistan me hapa specifikë se si të mbroni llogarinë tuaj”.

Gleicher ka shtuar se kompania ishte “duke punuar ngushtë me homologët tanë në industri, shoqëri civile dhe qeveri për të ofruar çdo mbështetje që mundemi për të ndihmuar në mbrojtjen e njerëzve”.

Më parë, Facebook-u ka konfirmuar se do të vazhdonte të ndalonte përmbajtjen e talebanëve nga platformat e tij pasi e konsideron grupin si një organizatë terroriste.

Ndërkohë, Twitter ka deklaruar gjatë kësaj jave se “përparësia kryesore është mbajtja e njerëzve të sigurt dhe për këtë, mbetemi vigjilentë”.

“Situata në Afganistan po evoluon me shpejtësi. Ne jemi gjithashtu dëshmitarë të njerëzve në vend që përdorin Twitter-in për të kërkuar ndihmë”, ka theksuar platforma.

Kujdesi i shtuar nga Twitter-i, vjen teksa ai është vënë nën vëzhgim për trajtimin e përmbajtjeve të lidhura me talebanët.

Zëdhënësit talebanë përdorën platformën për të azhurnuar qindra mijëra ndjekësit e tyre, teksa grupi militant rimori kontrollin mbi Afganistanin.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i kompanisë ka theksuar për “BBC”-në politikat kundër organizatave të dhunshme dhe sjelljeve të urrejtjes.

Në bazë të këtyre rregullave, Twitter-i nuk lejon grupe që promovojnë terrorizmin ose dhunën kundër civilëve.

Ndërkohë, një zëdhënës i LinkedIn-it ka thënë se “ekipi ynë po monitoron nga afër bisedat rreth zhvillimeve në Afganistan dhe po ndërmerr veprime për çdo përmbajtje që nuk ndjek politikat tona të komunitetit profesional”.

Ai ka shtuar se “ne kemi marrë gjithashtu disa masa të përkohshme duke përfshirë kufizimin e dukshmërisë së lidhjeve për anëtarët tanë në vend”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore