Lajme

Evidentohen burime radioaktive në Kosovë


Ilustrim

Staf teknik jo profesional që nuk kanë trajnime për mbrojtje nga rrezatimi, pajisje mbrojtëse jo të mjaftueshme, aparatura të vjetruara dhe rrufepritës radioaktiv që mbahen në depo, por pa roje fizike janë disa nga të gjeturat e një inspektimi që ka kryer Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore (AKMRrSB), gjatë vitit 2020.

Këto inspektime kanë përfshirë (industri apo në shëndetësi) në qytetet si Prishtina, Mitrovica, Peja, Prizreni, Gjakova, Ferizaj, Gjilanin, Kamenicën dhe qytetet të tjera.

Sipas raportit të AKMRrSB-së, gjatë hartimit të planit për inspektime për vitin 2020, prioritet i është dhënë inspektimit të rrufepritësve dhe mbetjeve si burime radioaktive si dhe nga sektori i shëndetësisë, me fokus spitalet regjionale në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Nga inspektimet e kryera në këto kabinete radiologjike në disa raste janë konstatuar edhe parregullsi. Një nga elementet që ndeshet më së shpeshti është se stafi teknik në shumë raste nuk është profesional (teknik me profile të ndryshme, pra nuk janë teknik apo Bachelor të radiologjisë)”.

Sipas raportit ata “nuk kanë trajnime për mbrojtje nga rrezatimi, pajisje mbrojtëse jo të mjaftueshme, etj. Një problematikë tjetër është se shërbimi radiologjik në shumë raste disponon aparatura të vjetra dhe se me këtë nuk kanë realizuar ndonjë kontroll teknike të pajisjes/pajisjeve (kualiteti i kontrollit të rrezatimit)”.

Raporti gjithashtu tregon në bazë të të gjeturave se gjatë vitit 2020 janë dy rrufepritës radioaktiv që deri më tani nuk ishin në bazën e të dhënave të AKMRrSB-së.

“Tani këto rrufepritës radioaktiv ruhen nga ato ndërmarrje nga ku janë gjetur. Andaj duke marrë parasysh se shumica e këtyre vendeve ku gjinden këto rrufepritës radioaktiv janë në pronësi të AKP-së (Agjencia Kosovare të Privatizimit)”.

Ilustrim

Tutje thuhet se “në shumë raste në këto subjekte nuk ka as roje fizike dhe se për këtë qëllim rrufepritësit radioaktiv hyjnë si kategori me prioritet në planin vjetor për inspektime. Gjendja fizike e rrufepritësve të inspektuar fatmirësisht ishte e kënaqshme”, evidenton raporti.

Kure nga sektori i shëndetësisë janë realizuar gjithsej 6 inspektime, 5 nga praktikat me përdorim të pajisjeve që prodhojnë rrezatim jonizues dhe 1 nga ato që përdorin burime radioaktive të hapura (Mjekësia Nukleare).

Po ashtu thuhet se janë realizuar 4 inspektime për mbetjet radioaktive, nga të cilat gjatë inspektimit është konstatuar se gjendja e tyre ishte e mirë.

Gjatë vitit 2020, AKMRrSB njoftoi në raport se janë gjetur edhe dy burime radioaktive.

“Është shumë me rëndësi të ceket se gjatë vitit 2020 janë gjetur dy (2) burime radioaktive. Përmes procedurave administrative dhe teknike është bërë trajtimi dhe paketimi i tyre dhe se këto dy mbetje ruhen në ndërmarrjet nga ku janë gjetur dhe i janë shtuar listës së bazës qendrore të AKMRrSB-ës për mbetje radioaktive”, thuhet në raportin e Inspektimit të këtij institucioni.

Këto inspektime AKMRrSB i ka kryer së bashku me FSK-në dhe KFOR-in.

Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore (AKMRrSB) është organ i pavarur rregullator, përgjegjëse për zbatimin e standardeve dhe politikave në fushën e Mbrojtjes nga Rrezatimi, Siguria Bërthamore dhe Mbrojtjen kombëtare dhe ndërkombëtare. AKMRrSB është themeluar në qershor të vitit 2011, në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bazë të Ligjit për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jo-Jonizues Jonizues dhe Sigurinë Nukleare (Nr.03 / L-104) i shfuqizuar nga Ligji Nr.06 / L-029.

AKMRrSB tani është Agjenci ekzekutive e Qeverisë përkatësisht Zyrës së Kryeministrit.

Ilutrim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore