Shqipëria

Eurostat: Shqipëria me moshën më të lartë të automjeteve, 40% mbi 20-vjeçare


Sipas statistikave nga Eurostat, në Shqipëri gjenden më shumë makina të vjetra sesa në çdo vend tjetër të Evropës.

Në rrugët e Shqipërisë – teksa vendet e Evropës po shkojnë drejt stimulimit të automjeteve elektrike – ngado shihen  makina të vjetra.

Për sa i përket vitit 2022, Eurostat dallon se në Shqipëri, 41 për qind e automjeteve të pasagjerëve janë mbi 20-vjeçare, më e larta në Evropë.

Edhe në Kosovë, rezulton se 22.6 për qind e automjeteve të pasagjerëve kanë vit prodhimi prej 20 vitesh ose më shumë, kurse në Mal të Zi 25.6 për qind.

Pas Shqipërisë, makinat më të vjetra janë në Bosnjë Hercegovinë, me 35 për qind.

Ndërkohë, në Gjermani, shteti nga i cili imputohen shumë automjete, vetëm 8 për qind e automjeteve janë me vjetërsi të ngjashme.

51 për qind e automjeteve të pasagjerëve në vend kanë një vit prodhimi më të lartë sesa 10 vjet.

Në total 99 për qind e automjeteve në vend kanë një moshë mbi 10 vjeçare, më e larta në Evropë.

Sakaq, shteti i dytë me më shumë automjete që kanë të paktën një dekadë që qarkullojnë është Maqedonia e Veriut, me 88 për qind.

Ndërsa më të rejat në rajon janë makinat në Kosovë, me 75 për qind. Në Itali, kjo përqindje është 59, në Gjermani 40.5.

Shqipëria, nga ana tjetër, ka peshën më të ulët të automjeteve të reja, me më pak se dy vjet prodhimi, me vetëm 0.78 për qind të totalit, nga 2.63 për qind që është në Kosovë dhe 15.4 në Gjermani.

Ndërkohë, referuar të dhënave, 1.67 për qind e automjeteve në vend kanë një moshë nga 2-5 vjet dhe 5.53 për qind prej tyre nga 5-10 vjet.

Përqindjet e automjeteve më të reja të pasagjerëve rezultojnë më të larta në Luksemburg (18,4 %), Gjermani (15,4 %), Suedi (14,5 %), Belgjikë dhe Irlandë (të dyja 13,1 %) dhe Austri (13,0 %).

Por disa Shtete Anëtare raportuan një pjesë të madhe të makinave të vjetra të pasagjerëve në vitin 2022.

Shtetet Anëtare me përqindjet më të larta ishin Estonia (34,1 %), Rumania (31,0 %), Finlanda (30,4 %), Polonia (29,3 %), Portugalia (26,4 %) dhe Malta (25,6 %).

Sipas Eurostat, vitet e fundit, disa vende kanë ofruar programe që mbështesin blerjen e makinave të reja me emetime të ulëta, ndërkohë që heqin dorë nga makinat e vjetra.

Synimi i përgjithshëm i këtyre programeve ka qenë rinovimi i flotës së makinave të pasagjerëve me makina me emetim më të ulët, duke stimuluar njëkohësisht ekonominë.

Këto programe kanë pasur një ndikim të caktuar në përbërjen e moshës së makinave të pasagjerëve në vende të veçanta.

Shqipëria, përpos makinave të vjetra, ka dhe dominim të atyre me naftë.

Referuar Eurostat, Shqipëria dhe Kosova kanë peshën më të lartë të automjeteve që punojnë me naftë në Europë, me rreth 74% të totalit Shqipëria dhe rreth 82% Kosova për vitin 2022.

Nga rreth 639 mijë automjete që kishte gjithsej në vend në vitin 2022, rreth 471 mijë janë me naftë. Me benzinë ranë rreth 17 për qind e automjeteve dhe me energji alternative 59 mijë, ose 9.3 për qind.

Makina elektrike në vitin 2022 në vend kishte më pak se 1 mijë e 300, sipas të dhënave të Eurostat.

Vendet e tjera të Evropës Perëndimore kanë peshë shumë më të lartë të makinave me benzinë dhe po rrisin dhe përdorimin e energjisë alternative.

Holanda ka më pak se 10 për qind të makinave me naftë, ndërsa Turqia mban rekordin për automjetet me energji alternative, me rreth 30 për qind të totalit.

Në raport me popullsinë, Shqipëria është ndër vendet me më pak automjete në Evropë.

Në vitin 2022, në Shqipëri kishte 226 automjete për 1 mijë banorë, që na vendosin në vendin e tretë më normën më të ulët për këtë tregues, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe Turqinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore