Lajme

Europol: Policia çmonton rrjetin e kontrabandës së emigrantëve në Gjermani dhe Rumani


Me mbështetjen e Europol dhe Eurojust, Policia Federale Gjermane dhe Policia Rumune kanë shpërbërë një rrjet kriminal të organizuar që ishte përfshirë në kontrabandën e emigrantëve kryesisht të shtetasve afganë.

Sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar të mërkurën e 6 tetorit, nga Europol, gjatë këtij aksioni, policia kontrolloi 19 lokacione. 14 prej tyre në Timisoara, katër në qarkun Timiş dhe një në Bukuresht.

Në ditën e aksionit që u zhvillua më 5 tetor, oficerët e policisë identifikuan dhe arrestuan menjëherë 27 të dyshuar, nga të cilët 16 ishin afganë, një iranian dhe katër shtetas rumunë. Përveç kësaj, gjatë të njëjtit aksion, policia konfiskoi një sasi të konsiderueshme të parave të gatshme, 83 telefona celularë, pajisje të tjera elektronike si dhe dhjetë shishe morfine.

Bazuar në të njëjtën deklaratë për shtyp, është zbuluar se aktivitete të tilla të paligjshme kishin funksionuar që nga maji i vitit të kaluar, pavarësisht nga pandemia COVID-19 dhe kontrolleve të shtuara.

“Aktivitetet hetimore sugjerojnë se rrjeti kishte funksionuar në qarqet rumune Timiş dhe Arad që nga maji i vitit 2020. Rrjeti kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas afganë, po kontrabandonte emigrantë afganë të rekrutuar nga kampet e refugjatëve dhe vende të tjera ku mblidheshin azilkërkuesit”, thuhej në deklaratën nga Europol.

Të dyshuarit besohet se kanë kontrabanduar rreth 200 emigrantë nga Rumania në vendet e tjera të Evropës Perëndimore, kryesisht në Gjermani dhe Francë, përmes lehtësimit të transportit ilegal dhe akomodimit të emigrantëve në pikat e transitit.

Për të marrë shërbime të tilla dhe për të qenë në gjendje të arrijnë në njërën nga dy vendet, emigrantët paguanin midis 1 mijë- 2 mijë euro për t’u transportuar në kamionë të mëdhenj që ishin shumë të rrezikshëm.

Besohet se gjatë disa ditëve të transportit, emigrantët ishin fshehur pas paletave, trungjeve të pemëve dhe mallrave të tjera, duke duruar kushte çnjerëzore pa asnjë masë sigurie në rast emergjencash. Hetuesit gjermanë nga Rosenheim dhe Mynih kanë zbuluar gjithashtu pesëdhjetë raste të tjera të ngjashme.

Bazuar në gjetjet e hetimeve, drejtuesit e kamionëve nuk ishin në dijeni se kishte njerëz në pjesën e pasme të kamionëve të tyre. Kur shoferët e kamionëve bënë pushimet e gjumit në Rumani, kontrabandistët zgjidhën litarët që mbulonin dyert e rimorkiove për të bërë një hapje dhe dolën nga automjeti.

Nga atje, emigrantët hynin në zonën e ngarkimit pa u vënë re nga askush, dhe sapo arrinin në Gjermani, ata hidheshin nga kamioni kur shoferët po bënin pushime ose shkarkonin ngarkesën.

Gjatë gjithë këtij veprimi, Europol ndihmoi në shkëmbimin e informacionit dhe siguroi mbështetje dhe koordinim teknik. Për më tepër, në ditën e aksionit, Europol dërgoi një analist në Rumani për të mundësuar shkëmbimin e informacionit në kohë reale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore