Lajme

Europol: Kujdes nga mashtrimet që përfshijnë korrespondencë të rreme!


Europol-i ka njoftuar se është në dijeni të mashtrimeve që përfshijnë korrespondencë të rreme nga një numër departamentesh dhe se ndaj tyre duhet të tregohet kujdes.

Në to përfshihet drejtori ekzekutiv, anëtarë të tjerë të lartë të stafit dhe zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit.

Mësohet se email-et dhe mesazhet në mediat sociale, të shkruara në gjuhë të ndryshme, kanë përdorur në mënyrë të rreme emrat e Catherine De Bolle dhe/ose Jean-Philippe Lecouffe dhe Jürgen Ebner.

Kjo në mënyrë që të duken serioze dhe legjitime.

Sipas Europol-it, mashtrimet kanë qenë edhe të llojit telefonik.

Ato janë bërë duke përdorur numrat e Europol-it, çka është përdorim i informacionit të rremë të ID-së së telefonuesit për të maskuar burimin e vërtetë të një telefonate hyrëse.

“Mos u mashtroni, e gjithë kjo korrespondencë është e rreme!”, ka theksuar Europol-i.

Gjithashtu ka ravijëzuar se as ai dhe as ndonjë nga anëtarët e stafit nuk do të kontaktonte “kurrë” drejtpërdrejt anëtarët e publikut, duke kërkuar veprime të menjëhershme ose duke kërcënuar individët me hapjen e një hetimi penal.

“Nëse merrni një email ose korrespondencë të dyshimtë nga ndonjë departament ose anëtar i stafit në Europol, ju lutemi raportojeni çështjen tek autoriteti juaj vendor i zbatimit të ligjit për hetime të mëtejshme”, ka apeluar Europol-i.

Dhe, pasi të jetë kryer kjo, nevojitet të dërgohen detajet e email-it ose korrespondencës së dyshimtë, duke përdorur formularin e kontaktit të vënë në dispozicion në faqen zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore