Kosova

Eurodeputeti gjerman thirrje 5-shes së BE-së: Pranojeni pavarësinë e Kosovës, mos e inkurajoni kursin dashakeq të Serbisë


Thomas Waitz

Deputeti i Parlamentit Evropian nga radhët e “të Gjelbërve”, Thomas Waitz, gjatë fjalës së tij në seancën e së martës ku u miratuan dy raporte, njëra për Kosovën dhe tjetra për Serbinë, iu drejtua me një kërkesë përfaqësuesve të Spanjës, Sllovakisë, Greqisë, Qipros dhe Rumanisë, të cilët akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Waitz i ftoi pesë shtetet mos-njohëse të Bashkimit Evropian që të marrin guximin dhe ta njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, sepse siç potencoi ai, kështu vetëm po përkrahet kursi konfliktuoz i Serbisë karshi Kosovës.

“Kosova është shtet i pavarur për më shumë se 10 vjet. Refuzimi për ta njohur Kosovën bazohet vetëm në punët tuaja të brendshme. Kështu që, unë ju bëjë thirrje që të mos e bllokoni Kosovën. Ju vetëm po e inkurajoni kursin konfliktuoz të Serbisë. Dhe nëse kjo nuk është ajo çka dëshironi, atëherë pranojeni Kosovën si shtet të pavarur”.

Tekstet e raporteve për Kosovën dhe Serbinë paraprakisht ishin miratuar në Komisionin për Politikë të Jashtme, ndërkaq atyre të martën iu shtuan disa amendamente të propozuara, që morën shumicën e votave të euro-deputetëve.

Parlamenti Evropian të martën miratoi dy rezoluta vjetore për Kosovën dhe Serbinë, përmes së cilave iu bëhet ftesë të dyja vendeve që të jenë konstruktive në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Greqia, Sllovakia, Hungaria – Çka mësoi Kosova nga mënyra se si u votua në KiE?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore