Euro 2024

Euro 2024: Ukraina përmbys Sllovakinë, ringjall shpresat për kualifikim të mëtejshëm


Ukraina ka zhvilluar një ndeshje të madhe përballë Sllovakisë duke përmbysur humbjen 1-0 gjatë pjesës së parë në 1-2, dhe tashmë ka hapur shanset për një kualifikim përtejë fazës së grupeve në Euro 2024.

“Merkur Spiel-Arena” në Dusseldorf priti takimin e parë për këtë të premte në Euro 2024 mes Sllovakisë dhe Ukrainës, dy ekipe të Grupit E.

Sllovakia kishte fituar duelin e parë në grup në Euro 2024 përballë Belgjikës 1-0, ndërsa Ukraina surprizoi jo pak kur pësoi një humbje 3-0 nga Rumania.

Ndaj, takimi i kësaj të premteje fliste shumë për ecurinë e dy skuadrave në Euro 2024. Sllovakia, e cila ishte pranë fitores, në rast se do të kishte rezistuar do të kualifikohej në fazën e 1/16-ave. Ukraina, në krahun tjetër, në rast se do të kishte humbur do të ishte pothuajse e eliminuar nga Euro 2024.

Megjithatë, ukrainasit e drejtuar nga Serhiy Rebrov arritën të kthenin gjithçka në favor të tyre dhe tashmë Grupi E bëhet më interesant, dhe se cilat skuadra do të kualifikohen nga ky grup mbetet ende të shihen.

Goli i parë i takimit të sotëm do të vinte në minutën e 17-të nga Ivan Schranz. Goli i sllovakut mbylli pjesën e parë me avantazhin e ekipit të Francesco Calzona-s.

Ukraina do të rikthehej në fushë në pjesën e dytë me tjetër energji dhe do të shënonte dy gola për të përmbysur shifrat.

Në minutën e 54-të, Mykola Shaparenko realizoi golin e barazimit për Ukrainën. Ndërsa, 10 minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes, Roman Yaremchuk do të shënonte golin e fitores për ukrainasit.

Fitorja e Ukrainës me përmbysje ndaj Sllovakisë është rasti i tillë i katërt në Euro 2024, duke barazuar kështu numrin total të përmbysjeve me Euro 2020.

Kjo fitore shënon dhe pikët e para të Ukrainës në Euro 2024, të cilët nga vendi i fundit në Grupin E e shikojnë veten në vendin e dytë, me po aq pikë sa Sllovakia dhe Rumania, e vendit të parë. Belgjika mbetet në fund pa pikë.

Rumania dhe Belgjika do të luajnë përballë njëra-tjetrës ndeshjen e dytë në Grupin E të shtunën, duke filluar nga ora 21:00.

Euro 2024 do të vijojë këtë të premte me dy duele në Grupin D. Duke filluar nga ora 18:00, Polonia përballet me Austrinë. Nga ora 21:00, Holanda përballet me Francën.

Notat e lojtarëve (sipas Whoscored)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore