Sport

Euro 2022 për U-19, Armando Cungu: Duhet të japim maksimumin


Ekipi Kombëtar i nën 19 vjeçarëve ka nisur që prej ditës së diel grumbullimin në qytetin e Durrësit, në prag të ndeshjeve kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Europian 2022.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Armando Cungu janë pjesë e grupit F, së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa të treja ndeshjet do të zhvillohen në Shqipëri.

“Në përgjithësi grupi duket në gjendje të mirë, megjithatë nuk ka qenë i plotë për shkak të disa lojtarëve, ose më saktë, kampionateve ku ata luajnë jashtë Shqipërisë, të cilët nuk kanë pasur mundësi të vijnë dhe një pjesë kanë ardhur dje, një pjesë sot”, tha trajneri Cungu.

“Kemi tetë muaj që punojmë bashkë dhe i dimë dhe konceptet e lojës që kemi për të zhvilluar. Njëkohësisht e dinë edhe rëndësinë dhe kundërshtarët që kemi përballë dhe duhet të japim më të mirën dhe maksimumin tonë për Kombëtaren U-19”.

Gjithashtu, ai komentoi edhe grupin F dhe rivalët në grup, duke vënë në pah kualitetet e tyre, por theksoi se ekipi duhet të futet në fushë me mentalitetin e fituesit.

“Grupi nuk ka shumë nevojë për koment. Është një grup shumë i fortë. Përveç Francës dhe Serbisë, edhe Maqedonia e Veriut ka lojtarë me shumë kualitete”, vijoi të thoshte shkodrani.

“Pavarësisht vështirësisë nëse mund të them kështu në letër në grup, natyrshëm që do të bëjmë më të mirën e mundur dhe futbollit kurrë nuk i dihet”.

“E rëndësishme është që dëshira dhe ambicia për të luajtur futboll nuk duhet të na mungojnë . Nëse do të hymë me këtë mentalitet, besoj do të bëjmë gjëra të mira dhe pse jo edhe rezultate të mira”.

Armando Cungu foli edhe për objektivat e skuadrës, si dhe për mundësitë që ka pasur gjatë gjithë vitit për të parë elementet që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë kompeticion.

“Ka qenë një situatë e vështirë jo vetëm për ne, por për të gjithë Europën dhe botën për shkak të pandemisë dhe nuk ka qenë shumë e lehtë për të parë apo për të seleksionuar lojtarët më të mirë që janë në lëvizje sa i përket kësaj grupmoshe”, shtoi 48-vjeçari.

“Jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën sepse ka lojtarë shqiptarë nga të gjitha vendet e botës”.

“Megjithatë për diçka jam i sigurt, që në Shqipëri kemi pasur mundësi të punojmë shumë me seleksionimet dhe jam i bindur që kemi bërë zgjidhjet më të mira”, përfundoi tekniku i U-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore