Shqipëria

Escobar në takim me Nikollën: SHBA-të janë vendi më prokosovar në botë, po ndërtojnë një fushatë njohjesh globale për Kosovën


Lindita Nikolla dhe Gabriel Escobar

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka takuar të mërkurën Emisarin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërsa nëpërmjet një postimi në “Facebook”, kryekuvendarja shqiptare ka ndarë disa detaje nga shkëmbimet me top-diplomatin amerikan gjatë vizitës në Departamentin e Shtetit.

Escobari i ka cilësuar SHBA-të si vendin më prokosovar në botë dhe ka theksuar se janë të vendosura për mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit, integritetit dhe sigurisë së Kosovës dhe pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare, ka njoftuar kreu i Kuvendit të Shqipërisë të mërkurën përmes llogarisë së saj.

Nikolla ka kujtuar se SHBA-të kanë dënuar sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa kanë njohur edhe përgjegjësinë e Serbisë në këtë drejtim, derisa ka vazhduar të japë detaje të tjera gjatë bisedës së saj me Escobarin.

Ajo ka thënë se diplomati amerikan ka përsëritur se SHBA-të mbështesin dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe se dialogu Prishtinë-Beograd është e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, përveç tjerash, siç ka njoftuar krykuvendarja shqiptare, top-diplomati amerikan ka thënë se SHBA-të po punojnë me shtetet mosnjohëse brenda BE-së – Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro – që të njohin pavarësinë e Kosovës dhe po ndërtojnë një fushatë njohjesh globale për Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore