Shqipëria

Escobar në Shqipëri: Fokusi, lufta ndaj korrupsionit – Meta jashtë agjendës


Vizita filloi të merrte konfirmime nga burime jozyrtare pranë mediave. Më në fund, ajo u zyrtarizua të martën e 7 dhjetorit nga Ambasada Amerikane në Shqipëri.

“I dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, viziton për herë të parë Shqipërinë”.

Fillimisht, agjenda e zyrtarit amerikan do të ketë si destinacion selinë blu. Ai pritet të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.

Kjo vizitë do të ketë dhe vëmendjen kryesore, për shkak të zhvillimeve të fundit brenda selisë blu dhe betejës me ish-liderin demokrat, Sali Berisha.

Takimi do të vijojë më pas me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Pas kësaj, gjatë pasdites, Escobar do të takojë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërsa, Presidenca dhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nuk përfshihen në agjendën e zyrtarit amerikan.

Në njoftimin e publikuar nga ambasada shkruhet se Escobar do të takojë edhe udhëheqës të tjerë.

Arsyeja për këtë është “rikonfirmimi i mbështetjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë”.

Ndër të tjera, autoritetet amerikane dhe vetë Escobar kanë aderuar për integrimin e saj në Bashkimin Evropian.

Mes takimeve pritet të ketë edhe konfirmime për bashkëpunimin më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.

“Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, bën me dije Ambasada.

5 shtyllat

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, do të publikonte të hënën e 6 dhjetorit, Strategjinë e parë të Shteteve të Bashkuara Kundër Korrupsionit.

Në të përfshihet qasja e qeverisë për luftën kundër korrupsionit.

Kjo, duke marrë hapa shtesë në reduktimin e aftësive të aktorëve të korruptuar.

Shtylla e parë kishte të bënte me modernizimin, koordinimin dhe sigurimin e burimeve të qeverisë amerikane për të luftuar korrupsionin.

Frenimi i financimeve të paligjshme për të pastruar të ardhurat e aktiviteteve të tyre të paligjshme, renditet e dyta.

Mbajtja e përgjegjësive të aktorëve të korruptuar është shtylla e tretë që Strategjia trajton.

Ruajtja dhe forcimi i strukturës shumëpalësh në luftën kundër korrupsionit vijon të mbetet në fokus të qeverisë amerikane.

Në përmbyllje përmendet edhe përmirësimi i angazhimit diplomatik dhe shfrytëzimi i burimeve të ndihmës së huaj kundër korrupsionit.

Vizita e dytë në 6 muaj

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Philip T. Reeker, do të vizitonte Shqipërinë në fund të muajit qershor.

“Mbështetja e pakushtëzuar në përkushtimin e Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit, përfshi kushtëzimet e reja nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet nenit 7031(c)”.

Ky ishte mesazhi kryesor i dhënë nga ndihmës-sekretari amerikan.

Mësohet se Reeker uroi dhe krerët e politikës shqiptarë për pritjen e programit stërvitor ushtarak, Defender Europe 21.

Ndër të tjera, zyrtari nënvizonte edhe mbështetjen e presidentit Biden dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në luftën e shqiptarëve ndaj korrupsionit.

Por, takimi 60-minutësh mes ndihmës-sekretarit amerikan dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pati një jehonë 60-ditore.

Përjashtim dhe non-grata

Dy muaj pas takimit me Reeker, Basha do të linte jashtë grupit parlamentar të PD-së, Sali Berishën.

Në një deklaratë për mediat, ai do të shpreh se “shpallja persona non-grata e Sali Berishës, ishte një nga momentet më të vështira për mua si kryetar, si demokrat, si bashkëpunëtor i Berishës”.

Vizita e Escobar-it vjen pikërisht dy ditë para mbledhjes së Kuvendit të thirrur nga, Sali Berisha, i cili është shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Do të ishte një ironi historike dhe tragjike, nëse Partia Demokratike do të hante bar për hatër të një deputeti të saj”.

Kjo do të ishte deklarata e bujshme e Ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, pas një takimi me kryedemokratin Lulzim Basha.

Thirrja e Kim ndaj Bashës ishte e qartë: Partia të lëvizë përpara, Shqipëria të ecë përpara. E ardhmja është e Shqipërisë.

Sali Berisha gjatë fjalës tij në ‘Foltore’ me gratë demokrate do të deklaronte hapur se nuk do të presë asnjëherë ambasadoren Kim në zyrë.

Kjo, deri në momentin që ajo të kërkojë falje për deklaratën e ‘barit’.

“E nderuar zonjë, dera e Sali Berishës, si kryetar i PD-së, kryeministër apo çdo pozicion që të jetë do të jetë gjithmonë e hapur për ambasadoren apo ambasadorin e SHBA, me të vetmin kusht, në rast se ajo do të quhet Yuri Kim, në çfarë do lloj funksioni të jetë kurrë nuk do të shkelë në zyrën time pa u kërkuar ju të falur për barin që ju serviri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore