Lajme

Escobar i prerë: Kosova ka garancinë e SHBA-ve, trupat serbe nuk kthehen në Kosovë


Gabriel Escobar

Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga SHBA-të.

Duke komentuar pretendimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për kthimin e personelit serb në Kosovë sipas Rezolutës 12/44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Escobar theksoi një gjë të tillë SHBA-të e kundërshtojnë në çdo rrethanë.

“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht, e hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ndërkaq, i pyetur se si do veprohet nëse ndodhë një gjë e tillë, ai shpjegoi qartë qëndrimin e SHBA-ve karshi pretendimeve të tilla: “E para, këtë nuk e pres”.

“E dyta, po e përsëris, Kosova ka garanci të forta sigurie nga SHBA-ja, të manifestuara përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR”, shtoi ai.

Ndryshe, Escobar dhe Miroslav Lajçak, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, sot nga ora 17:30 do të priten në një takim nga kryeministri Albin Kurti për të folur mbi situatën aktuale në pjesën veriore të Kosovës dhe dialogun me Serbinë.

Kujtojmë se bashkë me Esobarin ishte paraparë që të vinte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili anuloi vizitën në disa shtete të Ballkanit dhe në Bruksel, pasi doli pozitiv me sëmundjen COVID-19.

Vizita e tyre vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Gjashtë barrikadat e ngritura më më 10 dhjetor, bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Çfarë ndodhi në vitin 2003, kur Gjingjiç kërkoi nga NATO kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore