Lajme

Çfarë ndodhi në vitin 2003, kur Gjingjiç kërkoi nga NATO kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë


Rrjeti kabllor serb “Nova” ka transmetuar në Twitter një incizim të deklaratës së ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiç në janar të vitit 2003, në të cilën ai bënte thirrje për kthimin e pjesëtarëve të forcave serbe të sigurisë.

Pra, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, nuk është i pari zyrtar i lartë serb që do të bëjë një kërkesë të tillë.

“Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së konfirmoi se një numër i dakordësuar i ushtrisë dhe policisë së Republikës së Serbisë do të lejohet të kthehet në Kosovë për të kryer funksione të caktuara në mënyrë që të kryejë funksionet e renditura në Aneksin 2. Deri më sot, nuk është diskutuar me KFOR-in për kthimin e këtyre pjesëtarëve, por nuk kam iluzione dhe e di se do ta refuzojnë atë kërkesë”, tha Vuçiç në një fjalim për RTS-në, mbrëmjen e 10 dhjetorit.

Ish-kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiç do të niste asokohe një ofensivë të papritur për të ardhmen e Kosovës për të parandaluar lëvizjet e shqiptarëve drejt pavarësisë dhe për të forcuar imazhin e tij “patriotik” përpara zgjedhjeve të parakohshme.

Gjingjiç i shkroi komandantit të NATO-s në Evropën juglindore, admiralit Gregory Johnson, duke kërkuar leje që forcat policore dhe ushtarake serbe të ktheheshin në Kosovë, gjë që u pasua nga një letër e ngjashme drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Kërkoj që sa më shpejt që të jetë e mundur 10, 15 apo 20 ditë, të thuhet kur 1 mijë ushtarë dhe policë serbë të kthehen në Kosovë sipas rezolutës 1244. Le të thonë 1 mijë vjet, por le të thonë kur dhe ne do të veprojmë në përputhje me rrethanat për të përcaktuar politikën tonë”, shprehej Gjingjiç në vitin 2003.

Më pas ai shpjegoi se me 1 mijë ushtarë në Kosovë, vakumi i sigurisë që mund të lindte nëse NATO tërhiqte një pjesë të njësive të saj në rast të aksioneve ushtarake në Irak do të plotësohej.

Këmbëngulja e Gjingjiç-it për mbrojtjen e interesave serbe shënonte për kohën, fillimin e një kundërofensive ndaj presionit në rritje të shqiptarëve të Kosovës dhe simpatizantëve të tyre.

Kjo, pasi në maj të vitit 2002, shumica shqiptare në parlamentin e Kosovës miratoi një rezolutë që kërkonte pavarësinë.

“Deutsche Welle” komentoi në atë periudhë se kërkesa e Gjingjiç-it ishte projektuar për “konsum të brendshëm”.

Transmetuesi gjerman nënvizonte në komentin e saj se ish-kryeministri serb kishte zgjedhur qëllimisht një “melodi kombëtare populiste që u përshtatet serbëve”.

Gjingjiç përfitoi nga fushata e tij në Kosovë dhe mblodhi pikë patriotike. Por, kërkesat e tij nuk u morën shumë seriozisht jashtë vendit.

Ndoshta, Vuçiç po ecën në të njëjtat gjurmë si Gjingjiç, pasi nuk do ishte hera e parë që një kërkesë e tillë do të refuzohej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore