Kultura

Ermonela Jaho me Anima Rara në 100 inçizimet më të mira të vitit 2020


Në renditjen e 100 regjistrimeve më të mira nga zhanre të ndryshme të muzikës, gazeta britanike “Sunday Times” për vitin 2020 ka përzgjedhur edhe albumin debutues të Ermonela Jahos.

Albumi i saj i parë recital “AnimaRara” që doli në shitje më 25 shtator të këtij viti është realizuar nga Opera Rara. E shoqëron Orquestra de la Comunitat Valenciana dhe dirixhent është Andrea Battistoni.

Ermonela, “një nga interpretueset e mëdha të verizmit” siç e konsideron The Guardian, i ka kushtuar diskun Rosina Storchio-s, një ndër sopranot lirike më karizmatike të periudhës së verizmit.

Aria-t që Jaho këndon përfshijnë jo vetëm Madame Butterfly të Giacomo Puccini-t, që me siguri është kali i saj i betejës por edhe La Bohème e Ruggero Leoncavallo-s, Siberia e Umberto Giordano-s, Lodoletta e Pietro Mascagni-t dhe Traviata e Giuseppe Verdi-t.

Vetë ajo ka ndarë lajmin me një “cicërimë” në Twitter. Nga reagimet e shumta, edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim.

Më herët, sapo doli “AnimaRara”, mori vlerësime edhe si Albumi i javës sipas “Sunday Times” dhe si 10 albumet më të mirë të vitit sipas “Presto Classical” me arsyetimin se “të dëgjosh muzikën e saj të hap sytë me brishtësinë, freskinë dhe introversionin”. Gjithashtu çmimi Pizzicato Supersonic i është dhënë për shkak se albumi “zbuloi një nga këngëtaret më të mëdha të kohës sonë, dhe me shumë gjasa më të madhen në botën e tragjedisë pas Maria Callas”.

Cilësuar si “sopranoja më e duartrokitur e botës” nga The Economist, Financial Times  thotë “mos provoni t’i rezistoni Ermonela Jahos, se ajo hedh gjithë zemrën dhe shpirtin e saj duke kënduar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore