Rajoni

Erdogan: Islamofobisë dhe ksenofobisë duhet t’i vijë fundi


“Bota duhet të frenojë qasjet islamofobike dhe ksenofobike, murtaja këto, të cilat janë përhapur rrezikshëm në vitet e fundit, me ndihmën e platformave digjitale”.

Ka qenë kjo deklarata e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në ditën përkujtimore të holokaustit. “Komuniteti global duhet të punojë për të siguruar se tragjedi si ajo e holokaustit, Bosnies apo Rwanda-s, të mos përsëriten më”, shtoi Erdogan.

Presidenti turk, ngulmoi në faktin se përtej pandemisë, njerëzimi po përballet edhe me një “virus racizmi”, i cili po përhapet shumë shpejt. Ai përmendi një rritje të akteve të dhunës në botë, për shkak të fesë. Ngulmoi gjithashtu të mos dëmtohen vendet e kultit, si xhamitë, sinagogat apo kishat.

“Krimet e urrejtjes ndaj disa sektorëve të shoqërisë me identitete etnike, fetare, kulturore, pamore, kanë qenë duke u shtuar ditë pas dite”.

Erdogan-i nuk ka anashkaluar as rrezikun që vjen nga terrorizmi racist. Sipas tij, kjo lloj urrejtje, ka në plan “minimin e harmonisë shoqërore”.

“Këto genocide na shërbejnë si kujtesë për të luftuar çdo lloj diskriminimi”, theksoi Erdogan-i.

Në vitet e fundit, Turqia ka bërë përpjekje në sferën ndërkombëtare lidhur me çështjen e urrejtjes fetare. Mbi të gjitha, me Aleancën për Iniciativa Qytetare.

“Shpresoj që një ditë të gjithë llojet e diskriminimeve të marrin fund. Krimet ndaj njerëzimit nuk duhet të ndodhin më”, përmbylli Erdogan./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore