Lajme

Epopeja e UÇK-së – krerët institucional do të bëjnë homazhe në Prekaz


Ilustrim: Vjosa Osmani, Albin Kurti, Glauk Konjufca

Presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti e kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të mërkurën do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial, Adem Jashari, në Prekaz, ndërsa Kosova përkujton 26 vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, familja e të cilit u sulmua nga forcat speciale serbe më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt, më 5, 6 dhe 7 mars, forca të mëdha policore e paramilitare serbe rrethuan shtëpitë e familjes Jashari, duke vrarë 55 anëtarë të kësaj familjeje. Komandanti i UÇK-së, rezistenca dhe sakrifica e familjes Jashari u bënë simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 u krye sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa sulmi i dytë u krye më 22 janar 1998, ku forcat speciale serbe zbrazën një arsenal të llahtarshëm armatimesh. Në këtë betejë u plagosën dy vajza të familjes Jashari – Selvetja dhe Iliriana. Por sulmet nuk u ndalën.

Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forca të mëdha të policisë dhe ushtrisë serbe shpërthyen rrethojën dhe u vërsulën drejt shtëpive të familjes Jashari. Nga familja e ngushtë e komandantit të UÇK-së u vranë 22 anëtarë, duke përfshirë gra e fëmijë. Në këtë betejë u vranë edhe 33 shqiptarë tjerë të fshatit Prekaz.

Ndryshe të martën Kuvendi i Kosovës ka shënuar 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku vlerësua lart sakrifica e familjes Jashari për çlirimin e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani, tha se në rrugën përpara të shtetit të Kosovës duhet të ruhen dhe kultivohen vlerat për të cilat ka rënë Adem Jashari dhe të gjithë heronjtë e tjerë të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca u shprehën se shteti i Kosovës është ngritur mbi trashëgiminë luftarake, kombëtare e politike të Adem Jasharit dhe pasuesve të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore