Shqipëria

Emra të rinj në radhët e Policisë, priten ndryshime të tjera


Skënder Hita do të jetë drejtori i Policisë në Durrës dhe Dhimitraq Ziu në Dibër.

Kështu është bërë me dije të shtunën e 1 tetorit.

Ziu deri më tani mbante postin e zëvendësdrejtorit për Rendin në Durrës.

Nga ana tjetër, Hita, deri sot ka mbajtur postin e drejtorit të qarkut Dibër, ndërsa ka një karrierë prej dy dekadash në Policinë e Shtetit.

Ai zëvendëson ish-drejtorin Neritan Nallbati i cili u emërua zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit në drejtori të Përgjithshme.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit , Muhamet Rrumbullaku, ka njoftuar më herët se brenda pak ditëve, në Policinë e Shtetit do të konstituohen këshillat e shqyrtimit të propozimeve për emërimin në detyrë dhe ecurinë në karrierë të çdo punonjësi policie.

Sipas tij, kjo praktikë do t’i japë fund vendimmarrjes së deritanishme që ishte atribut vetëm i Drejtorit të Përgjithshëm, për të emëruar punonjës të Policisë në detyrë në të gjitha nivelet.

Ai theksoi se prioritet i tij nuk është ndryshimi i emrave në krye të strukturave qendrore e vendore, por ndryshimi i filozofisë dhe i metodologjisë së punës dhe për të arritur këtë duhen domosdoshmërish reforma ligjore, strukturore dhe arsimore.

“Nevojitet analizimi i rasteve dhe nxjerrja e përgjegjësive të drejtuesve në të gjitha nivelet e strukturave ku punonjës policie janë të përfshirë drejtpërdrejt në paligjshmëri, veprimtari kriminale dhe favorizim”, tha Rrumbullaku.

Drejtori ravijëzoi se është i domosdoshëm krijimi i një lidhjeje të qëndrueshme të strukturave me terrenin dhe me problematikat që hasin qytetarët, për të eliminuar tërësisht kulturën e zyrës dhe të “papërgjegjshmërisë së drejtuesve në të gjitha nivelet e drejtimit të organizatës”.

Një objektiv tjetër i Rrumbullakut mbetet transformimi i Akademisë së Sigurisë.

Pasi kjo, për të, do të ndikojë në rritjen e besimit dhe bashkëpunimit me qytetarët e me partnerët, si dhe në rritjen e rezultateve të punës në interes të rritjes së parametrave të sigurisë për jetën dhe pronën e qytetarëve, si dhe për goditjen më me efikasitet të fenomeneve kriminale globale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore