Lajme

“El Chapo i Azisë”, në pranga


Më në fund është përmbyllur një gjueti dhjetëvjeçare nga Policia Federale australiane.

Tse Li Chop , krimineli më i kërkuar i Azisë, një kinez me pasaportë kanadeze, i cili lëvizte drogë me vlerë miliarda dollarë në të gjithë Paqësorin, është vënë në pranga.

Ai u kap në aeroportin e Melburnit.

Ishte arrestuar në janar të vitit të kaluar në Amsterdam , i zbuluar gjatë një prej udhëtimeve të tij për të mbajtur gjurmët e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Luftoi një betejë të gjatë ligjore, por përfundimisht u ekstradua në Australi. Në këtë proces ai përballet me burgim të përjetshëm.

59-vjeçari komandonte një kartel trafikantësh droge.

Referuar vlerësimeve të Unodoc, agjencia e OKB-së që merret me drogën dhe krimin, pjesa e tij personale në rrjet ishte me vlerë nga tetë deri në 17 miliardë në vit.

“Tse Chi Lop është versioni aziatik i meksikanit El Chapo dhe kolumbianit Pablo Escobar”, ka treguar Jeremy Douglas, drejtor i Unodoc për rajonin aziatik.

Ai, gjatë dhjetë viteve të fundit, ishte raportuar në Bangkok ku dyshohet se ishte i mbrojtur nga një ekip boksierësh tajlandez, në Makao.

Madje atje ka humbur 66 milionë dollarë në një natë në kazino.

Vitin e kaluar, kapja e tij në Amsterdam ka qenë e mbuluar me mister.

Dikur udhëtonte me një avion privat, por këtë herë ai mori një aeroplan komercial nga Tajvani dhe u identifikua falë arkivit të digjitalizuar të policisë kufitare holandeze.

Por qarkullojnë hipoteza se ai është tradhtuar nga ndonjë partner apo rival, sepse një gjueti e tillë përdor edhe burime inteligjence dhe informacioni.

Sakaq, gjuetia për më shumë se dhjetë vjet është udhëhequr nga policia australiane, në bashkëpunim me hetues nga njëzet vende të tjera.

Agjentët australianë ishin afruar për të kapur disa herë. Në strehëzat e Tse-së kanë gjetur një Lamborghini të verdhë, 99 çanta stilistësh, kilogramë me metamfetaminë dhe miliona dollarë kartëmonedha.

E ashtuquajtura “Kompania” e tij është e specializuar në metamfetaminën, heroinën dhe ketaminë, të dërguara me ton në një duzinë vendesh, nga Japonia në Zelandën e Re.

Policia e Tajvanit e ka përshkruar Tse-në si “CEO i një kompanie shumëkombëshe”.

Bosi i la njerëzit e besuar të merreshin me tregtimin e drogës, pastrimin e hesapeve, kurse ai vet iu përkushtua pastrimit të fitimeve, përmes kazinove, hoteleve dhe kompanive të pasurive të paluajtshme në rajonin Mekong.

Pas Revolucionit Kulturor Maoist që e hodhi Kinën në kaos midis viteve 1966 dhe 1976, një grup i Gardës së Kuqe të mbetur pa shkak për të luftuar kishte krijuar një bandë kriminale të quajtur “Rrethi i Madh”.

Asokohe i ri, ai u bashkua dhe si banditë të tjerë u zhvendos në Hong Kong, duke iu përkushtuar kontrabandës.

Kur policia e kolonisë së atëhershme britanike e gjurmoi, Tse iku në Kanada në vitin 1988. Ai ishte bërë një trafikant heroine i nivelit të mesëm.

Arkivi Kriminal e regjistron përsëri emrin e tij në vitin 1998, këtë herë në New York. Por i shpëtoi burgimit të përjetshëm duke pretenduar se prindërit e tij po vdisnin në Kinë, në nevojë për kujdes të vazhdueshëm.

Po ashtu ka thënë se kishte lënë një djalë në Kanton, i cili gjithashtu ishte i sëmurë dhe vetëm.

Historia e përlotur u besua dhe gjykata amerikane i dha atij vetëm nëntë vjet burg. Pas vuajtjes së dënimit, ai u kthye në Kanada në vitin 2006 dhe zbuloi biznesin e metamfetaminës.

Ndryshe nga El Chapo dhe Pablo Escobar, të cilët bënin jetë të ekzagjeruara, kinezët i kanë dhënë kartelit të tij një strukturë rregullash që e bëjnë atë një organizatë jashtëzakonisht të disiplinuar, si një agjenci inteligjence.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore