Shqipëria

Eksportet dhe importet rriten shumë gjatë gushtit


Eksportet e mallrave shqiptare kanë shënuar një rritje të madhe gjatë muajit gusht, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar 22.5 pikë përqindje më shumë se sa ato të gushtit 2020.

Duke kapur vlerën 24 miliardë lekë, gushti ishte më fitimprurës se ai i një viti më parë, por shënoi rënie krahasuar me korrikun e këtij viti. Më konkretisht, në raport me korrikun 2021, u pësua 26% rënie.

Në krahasim mesatar të tre viteve, gjatë muajit gusht 2021 ka pasur po ashtu rritje të eksporteve me thuajse 19%.

Rritje gjithsesi, kanë shënuar edhe importet e mallrave, të cilat kanë kapur vlerën e 61 miliardë lekëve. Këto janë ngritur me 26.2%.

Deficiti tregtar gjatë gushtit është prej 37 miliardë lekësh, duke shënuar rritje me 28.8% krahasimisht me një vit më parë. Por, në krahasim me korrikun, deficiti është ulur.

Materialet e ndërtimit dhe metalet kanë qenë ato me rritjen më të madhe. Përkatësisht, me 17.4 pikë përqindjeje. Mineralet dhe lëndët djegëse kanë rritur eksportet me 8%.

Në ulje të lehtë janë produktet kimike dhe në rënie të madhe, me 8.7%, tekstilet dhe këpucët.

Për sa i përket importeve, rritje të madhe kanë shënuar mineralet me 6.7% dhe ushqimet me 6.3%. e vetmja kategori që ka pësuar rënie në importe, është lëkura dhe artikujt prej tyre. Rënia gjithsesi është e papërfillshme me 0.1%.

Vendi kryesor i tregtisë ka qenë Austria, me 57% të eksporteve dhe 45% të importeve. Pas ndjekin Gjermania, Greqia, Italia dhe Spanja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore